Një incident me armë zjarri është regjistruar pasditen e sotme në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, ku dy persona janë lënduar, raporton Enigma.
Incidenti dyshohet se ka ndodhur teksa personat e përfshirë ishin në lëvizje me vetura.
Lajmin për Enigmën e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se dy persona janë dërguar në QKUK si pasojë e plagëve të marra.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, tha ai.