Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK) inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, ka arritur në 13 për qind.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2022, ndërsa bëhet e ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2022, me muajin gusht 2021 ishte 13.0 për qind, shkruan Gazeta Enigma.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi, Ferat Shala, në një prononcim për Gazetën Enigma ka theksuar se keq menaxhimi i kësaj Qeveria dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar në rënien e rritjes ekonomike.
‘’Faktorët kryesorë janë dy, njëra është keq menaxhimi i Qeverisë që për mua do të ketë një rënie ekonomike rreth shifrës 3% gjatë këtij viti. Qeveria ka keq menaxhuar me buxhetin ka ndalur investimet kapitale dhe shumë linja tjera buxhetore, pra është faktori kryesor i uljes ekonomike’’, ka deklaruar Shala.
Tutje ai ka shtuar se faktor tjetër që ka ndikuar në thellimin e krizës ekonomike është edhe lufta në Ukrainë.
‘’Ndërsa faktori i dytë është çështja e krizës së përgjithshme globale dhe situatës me luftën në Ukrainë’’, tha Shala për Enigmën.
Çka duhet të bëjë Qeveria në këtë rast?
‘’Qeveria duhet ta menaxhoj mirë buxhetin, ku dhe është dashur që të realizoj projekte të planifikuara kapitale, dhe të gjitha linjat tjera buxhetore për të lëshuar më shumë para në qarkullim’’, tha Shala.
Ndërsa ekspertja e ekonomisë, Yllnore Bytyqi-Shala, ka deklaruar se zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj krize është rritja e pagës minimale.
‘’Marrë parasysh çështjet e diskutuara më lartë, një rekomandim i mundshëm për zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve në bazë të kësaj analize është rritja e pagës minimale. Edhe pse me Udhëzimin Administrativ për caktimin e pagës minimale parashihet që qeveria bazuar në rekomandimet e Këshillit Ekonomik-Social, në fund të secilit vit të përcaktojë pagën minimale bazuar në disa faktorë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tash’’, ka deklaruara ajo.
Tutje ajo ka shtuar se duhet pasur parasysh faktin që rritja e pagës minimale mund të ketë ndikim në rritje të mëtutjeshme të çmimeve, meqenëse ka rritje të të hyrave dhe kërkesës. Një tjetër rekomandim është rritja e pagesave për përfituesit e skemave sociale.
‘’Prandaj, rekomandohet që të zbatohet legjislacioni në fuqi lidhur me përcaktimin e pagës minimale, dhe në bazë vjetore të bëhet rishikimi sipas faktorëve të përcaktuar me këtë legjislacion, e që janë: kostoja e shpenzimeve jetësore, shkalla e papunësisë, gjendja në tregun e punës, dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend’’, tha Bytyqi-Shala.
‘’Megjithatë, duhet pasur parasysh faktin që rritja e pagës minimale mund të ketë ndikim në rritje të mëtutjeshme të çmimeve, meqenëse ka rritje të të hyrave dhe kërkesës’’, tha ajo për Enigmën.
Sogojeva: 30 % e bizneseve në Kosovë rrezikojnë mbylljen
Kreu i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thirrur sot në një takim kryetarët e njësive rajonale me të cilët ka diskutuar për problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset në Kosovë.
Marrë parasysh paralajmërimet që kanë ardhur edhe nga Qeveria për një dimër të vështirë, nga OHTK thonë se duhen ndihmuar bizneset në të kundërtën 30 % e tyre rrezikojnë të mbyllen.
Kryetarët e njësive rajonale kanë thënë se rritja e çmimeve të mallit është rritur nga janari për 42 % dhe kësaj do t’i shtohet edhe kriza me energji elektrike.
“Kryetarët e Njësive Rajonale janë shprehur shumë të shqetësuar për gjendjen aktuale me të cilën po përballen bizneset e sidomos me ngritjen e çmimeve duke e argumentuar këtë me faktin se nga janari kosto e mallit është ngritur 42% e duke ia shtuar kësaj edhe problemet me të cilat bizneset do të ballafaqohen gjatë dimrit për shkak të paralajmërimeve për krizë energjetike”, thuhet në njoftim.
“Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar që na pret një dimër i vështirë prandaj OHTK kërkon që të gjendet mënyra që këto biznese të ndihmohen përndryshe së paku 30% e tyre rrezikojnë të mbyllen. Qeveria në vend që të marrë vendime që e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e bizneseve, duhet që së bashku me OHTK-në dhe Odat tjera të gjejë mënyra për përkrahjen e tyre që të mbijetojnë”, thekson tutje njoftimi.
/Gazeta Enigma/