Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK) inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, ka arritur në 13 për qind.
Sipas tyre kjo rritje e inflacionit përkthehet me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë këtë vit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2022, ndërsa bëhet e ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2022, me muajin gusht 2021 ishte 13.0 për qind, shkruan Gazeta Enigma.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.2% në muajin gusht 2022.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.2% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin korrik 2022”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-6.1%), me një ndikim prej (-0.4 për qind) në IHÇK.
Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2022, me muajin gusht 2021 ishte 13.0%.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me eksperten e ekonomisë, Yllnore Bytyqi – Shala e cila ka deklaruar Kosova krahasuar me shtetet e rajonit me inflacion qëndron më keq se to.
Shala – Bytyqi përmes kësaj interviste ka thënë se rekomandim i mundshëm për zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve në bazë të kësaj analize është rritja e pagës minimale.
Tutje ajo ka shtuar se duhet pasur parasysh faktin që rritja e pagës minimale mund të ketë ndikim në rritje të mëtutjeshme të çmimeve, meqenëse ka rritje të të hyrave dhe kërkesës. Një tjetër rekomandim është rritja e pagesave për përfituesit e skemave sociale.
Intervista e plotë me eksperten e ekonomisë, Yllnore Bytyqi – Shala
Gazeta Enigma: Sa ka shkuar përqindja e rritjes së inflacionit në Kosovë?
Yllnore Bytyqi – Shala: Në raport të BB-së, Kosova është një nga vendet me inflacion më të lartë nga vendet që kanë të ardhura mesatare të larta.Madje, Kosova qëndron më keq për nga inflacioni se Shqipëria (13,2%), por më mirë se Maqedonia e Veriut (21,5%) e Mali i Zi (23,1%), dhe gati njëjtë me Serbinë (19,3%).
Në këtë kontekst, përderisa rritja e eksporteve kosovare është rritur në nivele rekorde, deficiti i llogarisë rrjedhëse është përkeqësuar, si shkak i rritjes së importeve.
Gazeta Enigma: Si duhet të veproj Qeveria e Kosovës për ta tejkaluar këtë krizë që po mbretëron në vendin ton?
Yllnore Bytyqi – Shala: Marrë parasysh çështjet e diskutuara më lartë, një rekomandim i mundshëm për zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve në bazë të kësaj analize është rritja e pagës minimale. Edhe pse me Udhëzimin Administrativ për caktimin e pagës minimale parashihet që qeveria bazuar në rekomandimet e Këshillit Ekonomik-Social, në fund të secilit vit të përcaktojë pagën minimale bazuar në disa faktorë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tash.
Prandaj, rekomandohet që të zbatohet legjislacioni në fuqi lidhur me përcaktimin e pagës minimale, dhe në bazë vjetore të bëhet rishikimi sipas faktorëve të përcaktuar me këtë legjislacion, e që janë: kostoja e shpenzimeve jetësore, shkalla e papunësisë, gjendja në tregun e punës, dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
Megjithatë, duhet pasur parasysh faktin që rritja e pagës minimale mund të ketë ndikim në rritje të mëtutjeshme të çmimeve, meqenëse ka rritje të të hyrave dhe kërkesës.
Gazeta Enigma: Cili është rekomandimi juaj për dalje nga kriza ekonomike në të cilën gjindet Kosova?
Yllnore Bytyqi – Shala: Një tjetër rekomandim është rritja e pagesave për përfituesit e skemave sociale.
Përkundër faktit se këto pagesa kanë pasur rritje në vitin 2018, dhe gjithashtu ka pasur shtesa si përgjigje ndaj pandemisë në vitin 2020 dhe 2021, prapë se prapë këto pagesa për rastet sociale janë më të ulëta se sa që parashihet me kurin e varfërisë (sidomos tek familjet me më shumë se pesë anëtarë).
Gazeta Enigma: Cila është detyra e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës?
Yllnore Bytyqi – Shala: Me rritjen e çmimeve ka pasur ankesa nga qytetarët dhe janë shfaqur dyshime se ekzistojnë ‘marrëveshje të fshehura’ të ksimit të çmimeve nga prodhuesit dhe bizneset, qoftë të produkteve (rritja e çmimit të bukës) apo të shërbimeve (rritja e çmimit të shërbimeve të oktarëve).
Lidhur me këto dyshime, rekomandohet që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të aktivizohet dhe kështu të arrihet që të eliminojë kartelat në biznes.
Gazeta Enigma: Rekomandimi juaj për llogaritjen e indeksit të çmimeve?
Yllnore Bytyqi – Shala: Janë edhe dy rekomandime që kanë të bëjnë me llogaritjen e indeksit të çmimeve. Njëra ka të bëjë me diskrepancën në mes të indekseve: norma e rritjes së indeksit të çmimeve të konsumit është shumë më e ulët se sa ajo e indeksit të importit (ndonëse është e ditur se një pjesë e madhe e shportës së konsumatorit është e përbërë nga produktet e importuara).
Dhe tjetra, ka të bëjë me peshat e njëjta të përdorura në kategoritë e IÇK ( Indeksi i Çmimeve të Konsumatorëve) duke mos marrë parasysh rënien në aktivitet ekonomik të disa kategorive. Prandaj, institucionet përkatëse duhet të marrin parasysh këto çështje dhe të përmirësojnë metodologjitë e kalkulimit të këtyre indekseve.
/Gazeta Enigma/