Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur rinumërimi i 292 vendvotimeve që u takojnë zgjedhjeve lokale për kuvende komunale që u mbajtën më 17 tetor.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se ky rinumërim do të marrë disa ditë kohë por se i hap rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare.
“Ju njoftoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi për rinumërimin e rreth 300 vendvotimeve që u takojnë zgjedhjeve lokale për kuvende komunale të cilat u mbajtën më 17 tetor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e këtyre vendvotimeve pasi ka mospërputhje të votave të subjekteve politike me ato të kandidatëve”.
“Në disa raste subjektet politike kanë marrë vota por jo edhe kandidatët dhe anasjelltas. Rinumërimi i këtyre vendvotimeve mund të marrë kohë disa ditë dhe pas përfundimit të tyre nëse nuk do të ketë rinumërim tjetër KQZ-ja do të mund të shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kuvende komunale” deklaroi Elezi. /Gazeta “Enigma”/