Edhe të premten partitë politike kanë kohë që të bëjnë të ditura vlerësimet eventuale shtesë për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Propozimi për të i është përcjellë presidentes Vjosa Osmani edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Por kjo parti politike ka zgjedhur që atë ta mbajë të fshehtë nga publiku.
Lëvizja Vetëvendosje është duke e mbajtur të fshehtë propozimin e saj për datën e zgjedhjeve.
Dy javë më parë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk i shkoi presidentes Vjosa Osmani në takimin koordinues për mbajtjen e zgjedhjeve.
E të enjten, Osmani bëri të ditur se nga Kurti i është përcjellë preferenca për mbajtjen e tyre.
Por, nga partia në pushtet nuk pranuan të shpalosin se cilën nga katër datat eventuale, 26 janar, 2, 9 apo 16 shkurt e konsiderojnë të duhurën për daljen në votime.
Presidentja tha se partitë politike kanë kohë deri të premten që të shpalosin pikëpamjet e tyre për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Kemi marrë përgjigje nga shumica dërrmuese. Do të kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar nëse kanë vlerësime shtesë dhe pasi përfundon orari nesër, ulemi dëgjojmë vlerësimet e kabinetit tim, të ekipit ligjor, ata të gjithë i kanë çështjet që janë ngritur nga të gjitha partitë që i kanë diskutuar deri më sot, por në por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme, edhe pse të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë me pak, nuk besoj që bënë ndonjë diferencë të madhe edhe për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje”, tha Osmani gjatë një vizite në Viti.
Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, nga katër datat e mundshme preferojnë 26 janarin, derisa shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, që është edhe kryetare e Alternativës, më të favorshme i sheh datat 9 dhe 16 shkurt.