Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Escobar para mediave tha se me Kurtin kanë pasur një diskutim të mirë për çështjen e dinarit.
Ai theksoi se kryeministri kosovar e ka parasysh shqetësimin amerikan për efektin e ndalimit të dinarit tek serbët lokalë dhe ka premtuar që do t’i marrë parasysh disa prej propozimeve që i ka bërë në takim.
“Patëm një diskutim shumë të mirë dhe e kam bërë shumë të qartë që askush s’ka nevojë të dëgjojë storie. Sigurisht që ne prekemi nga storiet e njerëzve dhe ndikimin që ka pasur ky vendim në ta. Kryeministri i ka marrë parasysh dhe premtuar që do t’i marrë parasysh disa prej propozimeve që i kam bërë sot”, tha ai.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori Jeffrey Hovenier.