Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është koha që Bashkimi Evropian të bëjë hapa konkretë dhe të marrë vendime të rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës.
Ai është shprehur se këto hapa përfshijnë njohjen e pesë vendeve mosnjohëse të BE-së dhe marrjen e statusit të vendit kandidat e pyetësorin për anëtarësim.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kuti ka folur në Qendrën Evropiane për Politika, duke thënë se integrimi evropian mbetet objektivi parës.
“Ai gjithashtu u shpreh se vendi ynë në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave evropiane dhe demokratike dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, andaj ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë dhe marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës. Të tilla janë njohja nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat dhe pyetësorin për anëtarësim. Pas fjalës hyrëse, kryeministri Kurti iu bashkëngjit diskutimit me të pranishmit, nën moderimin e analistes së politikave në EPC, Berta Lopez Domenech”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
I pari i ekzekutivit ka thënë se Kosova e ka arritur nivelin e zbatimit të Agjendës për Reformat Evropiane në mbi 70 për qind, e edhe Programin Kombëtar për Integrimin Evropian. Sipas Kurtit, Kosova ka shënuar progres në rritjen ekonomike, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimit të reformave në drejtësi.