Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë për Front Online se në veri të Kosovës situata është shumë e tensionuar dhe shqetësuese.
Madje kanë bërë të ditur se gjatë patrullimeve po hasin edhe në grupe dhe individë të armatosur.
Si shkak i kësaj nga ky mision kanë bërë të ditur se janë duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe se për këtë kanë shtuar dukshëm patrullimet, duke përfshirë edhe ato në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan.
“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar. Gjatë patrullimeve tona të zbulimit, jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese, shpesh nga individë dhe grupe të maskuar dhe të armatosur, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, përfshirë mëngjesin e sotëm, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe pengojnë lirinë e lëvizjes”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Ndërsa, kanë përsëritur qëndrimin e që barrikadat duhet të hiqen menjëherë.
“Siç thash, të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe ato pengojnë lirinë e lëvizjes. Ne dëshirojmë të ripërsërisim mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell se barrikadat nuk janë të pranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë”, kanë deklaruar nga EULEX.
Nga EULEX, kanë kërkuar që situata në veri të shtensionohet menjëherë dhe të vendoset qetësia.
“Ajo që tani është e rëndësishme është që situata të ç’tensionohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të përmbahen nga veprimet më provokuese. Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.
Kurse, sa i përket heqjes së barrikadave thonë se nuk kanë mandat për këtë.
“Si reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, ne po monitorojmë nga afër situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe po ndjekim zhvillimet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Megjithatë, siç ka përmendur Shefi i Misionit tonë në një intervistë të fundit, EULEX-i nuk ka as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat”, kanë thënë nga EULEX-i.
E, në rast të përshkallëzimit nga misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), kanë thënë se do ta bëjnë atë që u kërkohet dhe që është e nevojshme.
“Misioni do të bëjë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit tonë. EULEX-i po kontribuon për sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Njësia e Policisë së Formuar nga EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, që është pjesë e një mekanizmi reagues të sigurisë me tre shtresa ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe NATO/KFOR-i është i treti. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e misionit EULEX.
Njësia e Formuar Policore e EULEX-it (NFP) përbëhet nga 105 policë polakë të stacionuar në Mitrovicë.
Në nëntor, një njësi policore e formuar rezervë e përbërë nga 24 xhandarë nga karabinierët italianë dhe pesë xhandarë nga Lituania u vendos përkohësisht në Kosovë për të përforcuar kapacitetin e Njësisë së Formuar Policore ekzistuese të EULEX-it.
Njësia e Formuar e Policisë (NJFP) e EULEX-it dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë (NJFP) po kryejnë patrullime mobile të zbulimit 24/7, duke punuar me turne.
Ata janë duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe po ndjekin zhvillimet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.