Federata e Futbollit të Anglisë (FA) do të përpiqet të mbajë trajnerin Gareth Southgate përtej kontratës së tij aktuale, edhe nëse Anglia humbet nga Spanja në finalen e Euro 2024 të dielën, transmeton Gazeta Enigma.
Marrëveshja e Southgate skadon në dhjetor dhe bisedimet për të ardhmen e tij janë vënë në akull derisa të përfundojë Euro. Por trajneri ruan mbështetjen e figurave kyçe në FA dhe organi më i madh i futbollit anglez dëshiron që Sothgate ta udhëheqë Anglinë në Kupën e Botës 2026.
Mbetet për t’u parë nëse Southgate do të dëshirojë një sfidë të re. Ai sugjeroi para turneut se do të duhej të largohej nëse Anglia nuk kthehej si kampione. Ai gjithashtu ka duruar kritika të rënda nga mbështetësit dhe ekspertët e sportit.
Por rekordi i Southgate gjatë tetë viteve të fundit është i patëmetë dhe ai ka krijuar më shumë histori duke e çuar Anglinë në finalen e parë të madhe në tokë të huaj. Vendimi i tij për të sjellë Ollie Watkins në gjysmëfinale kundër Holandës u shpagua kur sulmuesi shënoi një gol të shkëlqyer të vonë në Dortmund.
Southgate ka udhëhequr më parë Anglinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018, çerekfinalen e edicionit 2022 dhe finalen e Euro 2020, e cila u humb në penallti ndaj Italisë. Ai mendoi të largohej pas humbjes nga Franca në Kupën e Botës 2022.
Shefi ekzekutiv i FA, Mark Bullingham, është një mbështetës i vendosur i Southgate. Një rishikim i plotë është planifikuar pas finales kundër Spanjës, e cila konsiderohet si favorit. FA ka një plan vazhdimësie në fuqi, me Eddie Howe të Newcastle, Graham Potter dhe Mauricio Pochettino që besohet të jenë në shqyrtim. /Gazeta Enigma