“Fëmijët dhe moshat e reja do të jenë “cak” i valës së re të COVID-19”

“Fëmijët dhe moshat e reja do të jenë “cak” i valës së re të COVID-19”

“Nga institucionet kosovare nuk janë bërë kurrfarë përgatitjesh plotësuese të nevojshme për përballje me valën e re, ashtu siç nuk janë bërë asnjëherë në të kaluarën”, kështu të paktën ka vlerësuar infektologu, Ilir Tolaj në një intervistë për Gazetën “Enigma”.

Kësisoj sipas tij ngritja enorme e numrit të rasteve të infeksionit do të jetë e pashmangshme.

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë e përgatitur për secilën valë e cila ka ndodhur në Kosovë. E di që as për këtë valë nuk është e përgatitur, nuk janë bërë kurrfarë përgatitjesh plotësuese të nevojshme për përballje me valën e re, ashti siç nuk janë bërë asnjëherë në të kaluarën. Me gjase është një sëmundje kronike e shoqërisë tonë që të reagojmë pasi që gjërat të ndodhin. Shquhemi me improvizime dhe pandemia nuk është përjashtim”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.

Gjatë intervistës ai ka folur edhe për masat që Qeveria e Kosovës ka marrë ditëve të fundit, teksa ka shtuar se disa prej tyre ishin më se të nevojshme.

“Disa masa janë ndërmarrë, që janë adekuate, siç është ndalesa e punës së klubeve të natës dhe dasmave. Do të duhej të minimizohej edhe puna e kafiterive, të cilat deri tash nuk kanë arritur t’iu përmbahen masave elementare anti-COVID”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka shtuar se “Duhet vazhduar me intensitet të shtuar vaksinimin e popullatës në mënyrë masive. Duhet vaksinuar edhe fëmijët dhe rinia nga 7 deri në 18 vjeç. Sepse pas kësaj vale, ku janë përfshirë kryesisht mosha 20-30 vjeç, padyshim do të jenë fëmijët dhe të rinjtë deri në 18 vjeç që do të përfshihen në valën tjetër. Kjo mund dhe duhet të parandalohet”.

Ndërkohë i pyetur lidhur me gatishmërinë e vendit tonë për të organizuar sërish zgjedhje në kohë pandeminë, Tolaj ka thënë se meqë nuk ka përgatitje paraprake, shtimi enorm i rasteve, është i pritshëm, pas zgjedhjeve.

“Nëse fushatat parazgjedhore zhvillohet ashtu siç është bërë ajo e zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë kjo padyshim se do të përcillet me rritjen e numrit të rasteve të reja me COVID 19, nëse jo me një valë të re. Mos të harrojmë se ishin mu këto zgjedhje dhe fushatat e papërgjegjshme e të gjitha partive politike që rezultoi me valën e trete të pandemisë në Kosovë.

Gjatë intervistës për Gazetën “Enigma”, ai ka shtuar se “Në situata çfare është kjo me pandeminë, fushata duhet të jetë e përmbajtur, më shume virtuale sesa fizike. Por kjo kryekëput varet nga politikanet, nivelin e përgjegjësisë së tyre karshi shëndetit publik. Deri tash nuk janë shquar me ndonjë nivel të lartë të përgjegjësisë në këtë fushë”.

Infektologu Tolaj ka folur edhe për variantin e ri të COVID-19, “Delta”, si dhe ngjashmërinë e këtij virusi me atë të zakonshmin, që është përhapur ditëve të fundit.

“Infeksionet virusale, varësisht nga sistemi i organeve që sulmojnë, karakterizohen me simptome të ngjashme. Prandaj nuk është fare e çuditshme që infeksione tjera virusale të kenë simptomatologji të ngjashme me COVID-19, të shkaktuar me cilindo variant, duke e përfshirë edhe atë Delta”, është shprehur ai. Tolaj ndër të tjera ka thënë se të gjithë ata që e kanë kaluar COVID-19 në mënyrë natyrore, ose janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës anti-COVID, janë më të mbrojtur nga ri shfaqja e simptoma të virusit. /Gazeta Enigma.

Related Articles