Festë e madhe për 112-vjetorin e Pavarësisë, Tirana pret mbi 10 mijë pjesëmarrës

Festë e madhe për 112-vjetorin e Pavarësisë, Tirana pret mbi 10 mijë pjesëmarrës

Shqipëria feston sot 112-vjetorin e pavarësisë, e për këtë Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një kalendar të pasur me aktivitete dhe ngjarje kulturore.

Në mesditë, duke nisur nga ora 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet “Parada e Shqiptarëve”, ku Tirana pritet të vishet e gjitha kuq e zi. Të pranishëm në paradë pritet të jenë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Në paradë do të jenë të pranishme përfaqësues nga 150 qytete, ndërsa llogariten mbi 10 000 të pranishëm.

Pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.

Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.

Pas paradës do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.

Paralelsiht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.

Related Articles