Babai i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë se vonë e ka kuptuar se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur të kaluar kriminale.
Ai ka thënë për RTK-në se është shumë i tronditur me rastin, por pret që organet e rendit dhe ligjit ta zbardhin ngjarjen dhe ta kapin personin e dyshuar i cili, siç thotë ai, vajzës së tij ia mori jetën.
Babai i 18 vjeçares lutet që ky rast, të jetë i fundit.
Osmani ka theksuar se vajza ka jetuar afër dy muaj me të dyshuarin, por siç thotë ai, vajza e tij ka qenë në presion dhe është frikësuar t’i tregojë familjes për dhunën që i ka ushtruar personi që tashmë është në arrati, Dardan Krivaqa.
Derisa shton se vazhdimisht e kanë pyetur, por 18 vjeçarja nuk ka treguar asgjë, sepse sipas tij ka qenë në presion psikik.
Tutje i njëjti shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një person të dyshuar për disa vepra penale.
“Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij përsoni i cili familjen time e goditi keq. Jemi shumë të shqetësuar për këtë që më ka ndodhur”, ka thënë ai.