Flet Çanak pasi Daçiç kërkoi arrestimin tij

Flet Çanak pasi Daçiç kërkoi arrestimin tij

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç kishte kërkuar që të arrestohet ish-deputeti serb dhe Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, që sipas Daçiçit ky i fundit kishte shkuar në Cetinë në rastin e kurorëzimit të Mitropolitit Joanikije me qëllimin e nxitjes së konfliktit dhe dhunës kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe se ka “marr para nga presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç”.

Çanak e ka pranuar që ka qenë në Mal të Zi, por ka theksuar se “unë asnjë fjalim s’e kam dhënë këta ditë, nuk kam dhënë asnjë deklaratë publike, sepse unë aty kam qenë me miq në Cetinë, me të cilën kam lidhje shumë të ngushta këto 30 vitet e fundit”.

Ndërkaq kur ka folur për shoqërimin e tij në një kafene me Gjukanoviç-in, ai ka thënë se ky i fundit ia ka shpëtuar jetën.

“Millo Gjukanoviç na ka shpëtuar jetët në vitin 1999, kur opozita ishte e rrezikuar në Serbi dhe ai shpëtoi jetën e Zoran Gjingjit, Vuk Drashkoviç dhe mua. Dhe unë këtë nuk mund ta harroj. E tash si mundem unë të them që nuk e di kush është Gjukanobviçi”.

“Ai na ka shpëtuar jetët para 22 viteve”.

“Unë aty në Cetinë nuk kam qenë për shkak të Millo Gjukanoviç-it personalisht, ose partinë e tij, unë aty isha veçanërisht për njerëz që s’janë fare në partinë e Gjukanoviç-it”.

“Dhe aty ishim ulur sepse s’kishim vend tjetër ku të ulemi. Sepse Qeveria e Malit të Zi mbylli hotelin e vetëm të madh në Cetinë, hotelin Grand, sepse gjetën një faturë që ishte lëshuar me vetëm një gabim, një gabim me 2 euro, dhe për shkak të asaj fature, i hodhën jashtë njerëzit prej 300 dhomave. I qitën jashtë sepse u frikësuan se aty mund të ketë njerëz që do të mbrojnë Cetinën”, ka shtuar Çanak në një intervistë për Albanian Post, përcjellë Gazeta “Enigma”.

“Dhe ne ishim në tarracën e një kafeneje, i cili ishte vendi i vetëm ku mund të mblidheshim, dhe kjo është arsyeja se pse të gjithë ishim aty, mund të shihni shumë pije në tavolinë, dhe për arsye se gjithçka tjetër ishte mbyllur, ne blemë disa birra aty diku në një dyqan, që të gjithë të mund të merrnin, sepse ishin shumë të ftohta, kjo është e vërteta”.

Trazirat në Mal të Zi

Sipas ish-deputetit serb, mediat nën kontrollin e nacionalistëve serbë po mundohet t’i paraqesin këto ngjarje në Mal të Zi, si vepra të ekstremistëve malazias, “por se në fakt ka qenë diçka krejtësisht ndryshe”.

“Aty ishin pesë kombe. Malazezë, serbë, shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë. Ishin tre religjione, ortodoksë, katolikë dhe myslimanë, por edhe ateistë, të cilët të gjithë së bashku donin vetëm një gjë, shtetin e tyre sovran të Malit të Zi. Sepse, ky inaugurim i Joanikijes nuk ishte ndonjë akt besimi fetar. Ajo kryesisht ishte mbledhim politik çfarë pamë ne aty. Ku priftërinjtë në manastirin e Cetinës nisin këndojnë ‘Kur Ushtria serbe Kthehet në Kosovë’, pra ata po këndonin këngë nacionaliste që s’kanë kurrfarë lidhje me religjionin, besimin. Kjo është njëra anë e medaljes”.

Ai mendon përdorimi masiv i forcës dhe gazit lotsjellës që u përdor në Cetinë të hënën nga policia është i pa pranueshëm.

“Fatkeqësisht unë jam pjesë e një gjenerate që ka shumë përvojë në gaz lotsjellës në demonstrata në Beograd në vitet e 90-a, por kurrë në jetën time nuk kam parë duke u hedhur gazin lotsjellës midis turmave dhe pastaj kënaqe të gazit lotsjellës në rrugë të zbrazura në qendër të qytetit dhe përreth”.

Sipas tij, “ata donin që të ngitnin aq shumë gazin lotsjellës në ajër, në mënyrë që askush në Cetinë mos të dilte nga shtëpitë e tyre. Dhe kjo gjë është një diçka që kurrë në jetën time nuk e kam parë”.

“Disa qarqe të thella ultra-nacionaliste shtetërore po e instrumentalizojnë fenë për të shtyrë përpara agjendat politike, kjo është një gjë me të cilën po përballemi këto dekadat e fundit. Dhe kjo nuk është dje. Dhe tani e kemi një çarje mes njerëzve që janë pro-Malit të Zi dhe kundër Malit të Zi. Me kundër Malit të Zi e kam fjalën për një pjesë të Malit të Zi si një provincë rebele pro-serbe, dhe një pjesë e popullatës që nuk pranojnë të jenë serbë politikë”.

Ai potencon se “është me rëndësi të kuptojmë që tërë kohën ekstremistët tentojnë ta vendosin atë në një nivel ekstremistesh serbë dhe ekstremistët malazezë”.

“Por, kjo është mes dy poliseve, dhe kjo nuk është gjë e bazuar etnikisht, sepse kjo mbledhje në Cetinë , ishte absolutisht mbledhje multi-etnike e këtyre pesë kombeve, unë jam dëshmitar i kësaj gjëje”.

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, mendon se shoqëria në Mal të Zi është e polarizuar dhe “kjo çarje vetëm sa po thellohet”.

Çanak mendon se Kisha Ortodokse Serbe dhe Manastiri i Cetinës, do të kuptohen si një kishë e huaj dhe një forcë e huaj dhe “që po rrinë aty si një fole me elemente përmbysëse për Malin e Zi multi-etnik dhe mendoj se kjo ishte gabim jashtëzakonisht i madh, i të gjithëve që morën pjesë aty”.

“Kjo vetëm sa e zmadhon atë çarje (ndarje), mes jugut dhe veriut, mes Malit të Zi të vjetër, dhe pjesës në kufi me Serbinë dhe mendoj se nëse me të vërtetë dëshironi të kuptoni se kush ka të drejtë dhe kush e ka keq, vetëm pyetini boshnjakët, shqiptarët, kroatët, serbët dhe malazezët, dhe do të shihni që shumica e tyre janë për një Mal të Zi të pavarur e sovran”.

Mes protestave dhe gazit lotsjellës – Joanikije përgëzohet si i pari i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi

Mitropoliti Joanikije u përurua të dielën si kreu i ri i degës malazeze të Kishës Ortodokse Serbe në një Manastir në Cetinje pavarësisht kundërshtimeve e protestave.

Ceremonia e mbajtur në ish-kryeqytetin e kombit të vogël ballkanik, megjithatë zemëroi kundërshtarët e kishës serbe në Malin e Zi, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia fqinje në vitin 2006.

Mitropoliti Joanikije dhe Patriarku i kishës Porfirie kishin mbërritur për inaugurimin me helikopter mes masave të rrepta të sigurisë.

Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve që qëlluan me armë në ajër dhe hodhën shishe dhe gurë në Cetinje përpara ceremonisë të së dielës.

Raportet e policisë dhe mediave thanë se të paktën shtatë policë dhe disa protestues u plagosën në përleshje, ndërsa të paktën 14 persona u arrestuan.

Pse u kundërshtua ceremonia e shugurimit në Cetinje?

Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.

Qyteti Cetinje, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.

Vlladimir Veljkoviç një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.

“Në radhë të parë Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe nga ana tjetër është gjithashtu selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolia e Malit të Zi, dhe tani padyshim që kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjës”, thotë Veljkoviç.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet.

Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviç (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.

Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.

Në fillim të marsit, një grup qytetarësh qëndruan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, vendosi një kurorë me lule mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Qytetarët thërrisnin “çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdeti i detit serb”.

Sesioni i parë pranveror i Parlamentit të Malit të Zi më 25 mars, i cili zakonisht mbahet në Cetinje, u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Derisa zyrtarët po mbërrinin në qytet, rreth dyqind qytetarë u mblodhën dhe brohoritën “Kjo nuk është qeveria jonë” dhe “Tradhti”.

Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër Ligjit për Liritë Fetare gjatë vitit 2020.

Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të larta në Mal të Zi.

Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.

Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviçit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.

Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – e ndryshoi ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.

Related Articles