“Formimi i Qeverisë së re” – QUINT-i kërkon veprim urgjent

“Formimi i Qeverisë së re” – QUINT-i kërkon veprim urgjent

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it këtë të hënë janë takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke shprehur shqetësimin e tyre për bllokimin politik në Kosovë dhe duke theksuar nevojën e domosdoshme për formimin e institucioneve të reja, raporton Gazeta “Enigma”.

Ambasada e Italisë në Kosovë thuhet përmes një njoftimi ka deklaruar se “sot ambasadorët e QUINT-it janë takuar me kryeministrin në detyrë Kurti. Është theksuar nevoja për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, që Kosova të ecën para drejt prioriteteve kyç si avancimi drejt integrimit Euro-Atlantik”.

Ky apel vjen në një kohë kur legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ka dështuar në 14 tentime radhazi për t’u konstituuar, ndërsa tentimi i 15-të pritet të mbahet të martën.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh përmes një postimi në platformën “X” se “për progres në integrimin evropian të Kosovës, duhet një qeveri stabile dhe funksionale. Status-quo aktuale nuk i sjell dobi askujt”. Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves: “Inkurajova formimin e një qeveri të re, sa më shpejt të jetë e mundur, të veprohet në interesa të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke bërë progres në çështjet vitale, si zhbllokimi i fondeve dhe vazhdimi drejt integrimit euroatlantik”.

Ndërsa ambasadori gjerman, Jorn Rohde, përmes një reagimi publik tha: “Kosovës i duhet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se nesër. Presin shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare dhe nevojitet përparim në çështjet jetike”. Mesazhi i përbashkët i QUINT-it është i qartë: bllokada aktuale institucionale duhet të marrë fund dhe vendi duhet të rikthehet sa më parë në funksionim të plotë demokratik.

Related Articles