Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha sot se Franca nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por ai parashtroi kushte të shumta përpara se të ndërmerret një hap kaq i rëndësishëm.
Franca ka dërguar në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë edhe mjete të blinduara për mbikëqyrjeje dhe luftarake, por nuk ka dërguar tanke luftarakë ose armatime më të rënda.
I pyetur në një konferencë shtypi në Hagë nëse Franca po shqyrton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, Macron tha se “asgjë nuk përjashtohet” për sa kohë që do të plotësohen disa kushte.
Ndër këto kushte janë: sigurimi se pajisje të tilla nuk do të përdoren për një përshkallëzim të tensioneve ose që nuk do të përdoren “për të prekur tokën ruse” dhe se kjo nuk do të “dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze”.
Zyrtarët ukrainas kanë rritur kërkesat për armë më të rënda nga aleatët perëndimorë për të përballuar forcat ruse.