Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend ka thënë se sindikatat aktuale në vitin 2017 kanë pasur marrëveshje me PAN-in, në prag të zgjedhjeve.
FSSHK-ja në reagim thotë se Kurti ka përdor gjuhë të urrejtjes dhe asgjë se çfarë ka thënë ai, nuk qëndron.
“Njoftojmë opinionin e gjerë publik se ato çfarë thotë kryeministri Kurti asnjë nuk qëndron, i njëjti me gjuhë të ashpër e urryese njollos punën tonë duke tentuar që në këtë mënyrë të shpërqëndron opinionin rreth kërkesës tonë legjitime asaj të: Rritjen e pagës dhe miratimin e Ligjit të Pagave, ku për realizimin e të cilave do ti përdorim të gjitha mjetet legjitime të reagimeve sindikaliste pavarësisht presionit dhe linçimeve karshi nesh”, thuhet në reagim.
FSSHK-ja në reagim ka demantuar edhe fjalët e kryeministrit Kurti, duke publikuar marrëveshjen e mirëkuptimit me PAN-in asokohe, dhe në fund paralajmëruan grevë.
“Duke qenë se Kurti është në rrugë për të dështuar njëkohësisht duke dezinformuar në të gjitha aspektet, atëherë si mbetet asgjë tjetër vetëm shkatërrimi i Sindikatave. Shihemi në grevë”, përfundon reagimi i FSSHK-së.