Fundjavën e ardhshme fillon edicioni 2022/2023 i Superligës së Kosovës në futboll. Njohësit e futbollit vlerësojnë se këtë herë nuk do të ketë shumë skuadra në garë për titull. Ajo pritet të zhvillohet në mes kampionit dhe nënkampionit aktual
Skuadra e futbollist Prishtina ka qenë rregullisht në mesin e favoriteve në luftën për titull të kampionit të Kosovës. Por, trajnerë të futbollit nuk e shohin Prishtinën pretendente për titull të kampionit për edicionin e ri që nis fundjavën e ardhshme. Nuk e shohin as Gjilanin e as Llapin.
Garën për titull të kampionit vlerësojnë se do ta udhëheqin Drita dhe Ballkani. Madje, sipas njohësve të futbollit kosovar, gara me shumë mundësi do të zhvillohet vetëm në mes të këtyre dy skuadrave.
Trajneri Afrim Tovërlani thotë se Ballkani dhe Drita janë në të gjitha aspektet më stabile se skuadrat tjera të Superligës.
“Nga ajo që kam parë deri më sot, mendoj se Ballkani dhe Drita janë favoritët kryesorë. Nëse vitin e kaluar kishim 4-5 skuadra, këtë vit mendoj se këto të dyja janë favorite. Pra për momentin janë dy skuadrat më stabile në futbollin tonë në të gjitha aspektet”, ka thënë Tovërlani të dielën për Kohen.
Trajneri Tovërlani ka numëruar disa faktorë që i bëjnë Ballkanin dhe Dritën favoritë për ta fituar titullin e kampionit. E ndër më kryesoret, sipas Tovërlanit, është stabiliteti financiar që kanë këto dy klube.
Tovërlani së fundi ka marrë drejtimin e Përfaqësueses U21 të Kosovës. Ai me Prishtinën dhe Feronikelin ka fituar katër tituj të kampionit. Ka drejtuar edhe disa skuadra të tjera.
“Mendoj që financiarisht këto dy klube janë më stabile, që do të thotë shumë. Ndërsa e dyta është se ndryshimet kanë qenë minimale në formacion dhe kanë bërë prurjet që kanë dëshiruar për ngritje të konkurrencës brenda skuadrës”, është shprehur Tovërlani.
Prishtina edicionin e kaluar se përjetoi periudhën më të keqe në histori të klubit. U deklarua borxh prej 1.3 milion euro, ndërsa u përball edhe me shumë sfida të tjera. Për shkak të borxheve, ka raportime se i është bllokuar nga FIFA edhe mundësia e regjistrimit të lojtarëve.
Së fundi në krye të klubi kryetar është zgjedhur Hakif Gashi. Në edicionin nis më 13 gusht, Prishtinën do ta drejtojë Ismet Munishi.
Nga Prishtina janë larguar shumë lojtarë, ndërsa ka pasur edhe afrime. Por trajnerët e futbollit nuk e shohin Prishtinën në mesin e favoritëve për ta fituar titullin.
Munishi më herët ka thënë se Prishtina do të luftojë për trofe edhe në sezonin e ri.
Ndërkohë, pas triumfit në Kupë për dy vjet rresht, trajneri Tahir Batatina ka thënë se radha është që Llapi të luftoj për titull të kampionit.
Ndryshe mendon trajneri mitrovicas, Fahredin Duraku.
“Llapi më ka befasuar në Evropë. Gjithë ai investim dhe të mos e kalojë rundin e parë, për mua është befasi. Kam pritur të paktën t’i kalojë dy runde. Kemi parë një Dritë dhe një Ballkan më serioz në Evropë. Urojmë që Ballkani të kalojë tutje në garat e Evropës, por në kampionat i shoh Dritën dhe Ballkanin favorit për titull të kampionit. Nëse shohim paraqitjen e klubeve të Kosovës në Evropë, kemi parë një Dritë dhe një Ballkan që kanë ecur mirë. Ballkani dhe Drita janë dy skuadrat që po investojnë shumë. Gjilanin e përjashtoj për shkak të largimit të Florim Zukës. Aktualisht Gjilani ka mbetur pa investime milionëshe të cilat i ka bërë Zuka dhe ana financiare është shumë e rëndësishme. Drita ka fituar një përvojë të madhe dhe është goxha e organizuar. Drita po punon goxha mirë”, ka thënë Duraku.
Garën për titull të kampionit ndryshe nga Tovërlani e Duraku, e sheh trajneri Bekim Isufi. Isufi krahas Dritës dhe Ballkanit për titull të kampionit i sheh edhe Prishtinën, Gjilanin dhe Llapin. Nuk përjashton të ketë edhe befasi.
“Do të jetë një kampionat interesant në bazë të paraqitjeve, organizimit dhe transferimeve të klubeve. Nuk diskutohet që Drita, Ballkani dhe Gjilani, por pa përjashtuar Prishtinën dhe Llapin do të jenë në garë për titull. Gjatë rrugës mund të jenë të forta edhe klubet që kanë ruajtur statusin e anëtarit në Superligë. Kanë ditur edhe në të kaluarën të jenë më të forta. Mund të ketë edhe befasi. Do të jetë një kampionati vështirë. Nuk duhet përjashtuar edhe Dukagjinin, Malishevën, Ferizajn. Drenicën nuk e shoh, sepse ka probleme, por disa klube kanë bërë investime, të cilat nuk i kanë bërë ende publike. Por, informata më të pastra kemi rreth klubeve që i kemi parë në Evropë”, ka thënë Isufi.
E fortë pritet të jetë gara edhe për pozitat e tjera të kreut të tabelës, përkatësisht për ato që sigurojnë daljen në gara evropiane. Paraqitja në kupa kontinentale ofron favore të shumta për klubet, mbi të gjitha financiare.