Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se për momentin nuk ka arsye të besojë se pretendimet mbi ambasadorin Martin Berishaj mund të jenë të vërteta, njofton Klan Kosova.
Berishaj akuzohet nga mediumi slloven Planet TV si i përfshirë në një skandal financiar në Slloveni, por ai i ka mohuar këto akuza, duke paralajmëruar padi për këtë medium.
“Bëhet fjalë për një raportim të një mediumi slloven në fushatën elektorale, e cila është duke u zhvilluar në Slloveni”, ka thënë Gërvalla për RTV Dukagjinin.
“I kam lexuar dhe ndjekur me kujdes të gjitha raportimet. Brenda një kohe të shkurtër do të bisedoj edhe personalisht me ambasadorin Berishaj, i cili shumë qartë ka treguar që nuk ka asgjë të vërtetë në raportime mediale dhe që do të ndërmarrë hapa ligjorë për këto akuza, me të cilat [po përballet përmes atij mediumi]”.
“Por unë në këtë moment nuk kam asnjë arsye të besoj që këto pretendime mund të dalin si të sakta përderisa ambasadori thotë që ato nuk janë të sakta, është çështje e organeve të drejtësisë, të cilave u është drejtuar z. Berisha që të bëjë një konstatim të tillë, e jo e jona apo e interpretimeve të ndryshme”.
Gërvalla tha se nëse është nevoja, do t’i ndërmarrin hapat e duhur, por njëherë nuk ka indikacione për një gjë të tillë.
“Do të ndërmarrim hapat atëherë kur ato do të jenë të nevojshëm nëse do të jenë të nevojshëm, gjë për të cilën në këtë moment nuk duket të ketë asnjë indikacion”.
“Tani na lejoni t’i ndjekim njëherë proceset e pastaj të shohim me radhë”.