Gërvalla fton për vizitë në Kosovë Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Gërvalla fton për vizitë në Kosovë Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Gjatë fjalimit të saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, u bëri ftesë përfaqësuesve të shteteve anëtare që ta vizitojnë Kosovën, shkruan Enigma.

“Në vend që të ndikohemi nga raporte që nuk pasqyrojnë realitetin në vend, ftoj sinqerisht Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të vizitojë Kosovën. Krijojeni vetë përshtypjen tuaj për atë që po ndodh atje. Vizitojini qytetarët serbë në katër komunat veriore të vendit dhe bisedoni me ta”, deklaroi Gërvalla.

Gërvalla theksoi se qytetarët serbë në veri të Kosovës, sot më shumë se kurrë më parë, po ndihen të lirë nga presioni dhe frika e strukturave kriminale të lidhura me Beogradin. Ajo shtoi se fushata e dezinformatave që synon të paraqesë qeverinë qendrore si problem për qytetarët serbë është e pabazë dhe bie poshtë përballë realitetit që përjetohet në terren.

“Ata do t’ju tregojnë se si, më në fund, ndihen të lirë nga presioni dhe terrori i bandave të organizuara kriminale, miq të z. Gjuriq dhe të tjerëve. Asgjë nuk mund të zëvendësojë përshtypjen personale që do ta merrni, duke i parë nga afër dhe biseduar hapur me të gjithë ata që mund t’i keni parë si të ndikuar nga raporte të njëanshme”, tha Gërvalla.

Related Articles