Gërvalla: Jam nënshtetase kosovare e jo e Gjermanisë, udhëtoj me dokumente të Kosovës

Gërvalla: Jam nënshtetase kosovare e jo e Gjermanisë, udhëtoj me dokumente të Kosovës

Deklarimi i Ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ndaj sulmeve kundrejt Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nxiti reagimin e deputetëve të opozitës.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, shkroi në Facebook se është normale që ambasadori gjerman të mbrojë Gërvallën pasiqë kjo e fundit, sipas Shoshit, ka nënshtetësi të Gjermanisë.

“Normal që i del në mbrojtje Ambasadori Gjerman qytetares së Gjermanise – sepse atë detyrë e ka. Çështja është – kush po u del në mbrojtje qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Por në një përgjigje, ministrja Gërvalla ka treguar se ajo nuk mbanë nënshtetësi të Gjermanisë.

“Për arsyet që ju i keni theksuar, pra për shkak se marrja e nënshtetësisë gjermane nënkupton heqjen dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës, unë asnjëherë nuk kam parashtruar kërkesë për marrjen e nënshtetësisë gjermane. Jam nënshtetase e Kosovës që nga fillimi, por me pasaportë e pajisur që nga fillimet e UNMIK-ut”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla, që ditëve të fundit ishte cak i kritikave të ashpra nga opozita, ka shtuar se që nga vitet 80-ta posedon nënshtetësi të Shqipërisë, të cilën nuk e ka ripërtri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Por ajo thotë se të gjitha udhëtimet i bën me dokumente të udhëtimit të Kosovës.

“Njëkohësisht jam nënshtetase e Republikës së Shqipërisë që nga vitet e 80-ta. Pasaportën e Shqipërisë nuk e kam ripërtërirë më asnjëherë që nga Pavarësia formale e Kosovës. Me pak fjalë, jam nënshtetase e Republikës së Kosovës dhe qarkulloj me dokumentet e udhëtimit të kësaj Republike dhe me leje qendrimi gjermane. Të gjitha këto fakte nuk po i bëj të ditur për herë të pare”, ka thënë Gërvalla për Reporteri.net.

Kujtojmë që Ministrja Gërvalla është sulmuar nga partitë opozitare për shkak të deklarimeve të saj rreth ish-krerëve të UÇK-së.

Madje PDK tashmë i ka kërkuar dorëheqjen ministers së Punëve të Jashtme nga posti i kryediplomates.

E këto sulme ambasadori gjerman i cilësoi si personale e të papranueshme.

Related Articles