Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka mbajtur fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Gërvalla edhe në OKB është krekosur se Kosova ka pasur zhvillim ekonomik.
“Republika e Kosovës është demokracia më e re në Evropë. Kosova është në rrugën e duhur. Vitin e kaluar Kosova regjistroi mbi 10 për qind rritje ekonomike. Rritje rekorde të investimeve direkte. Këtë vit, rritja ka qenë e konsiderueshme duke marrë parasysh luftën Rusi – Ukrainë. Kosova është radhitur e para në Ballkan për sundimin e së drejtës. Kemi nënshkruar 12 marrëveshje me vendet fqinje”, tha ajo.
Tutje, ajo tha se Kosova ka ndërmarrë veprime të ligjshme të reciprocitetit, pasi që Serbia nuk i është përmbajtur marrëveshjeve të së kaluarës.
“Kosova do të aplikojë edhe për anëtarësim në BE këtë vit dhe aspirojmë të jemi anëtarë të NATO-s. Më duhet t’i përgjigjem disa kërcënimeve serioze paqes dhe stabilitetit në rajon. Vuçiq po kërcënon në fund të tetorit vendin tonë. 90% të pronarëve të veturave kanë zëvendësuar tabelat e veturave të paligjshme me ato të ligjshme. Është gjë krejt e thjeshtë, nëse keni veturë, duhet të keni sigurimin dhe tabelat e ligjshme. Serbët ekstremistë po ndjekin e frikësojnë bashkëqytetarët e tyre që kanë ndërruar këto tabela. Është gabim që UNMIK po i shmang këto fakte”, tha Gërvalla.
“Jemi mirënjohës që KFOR, NATO dhe partnerë tjerë janë të gatshëm të ndihmojnë në zbutjen e kësaj situate dhe përshkallëzimit. Në vitin 2011 Serbia është pajtuar për lirinë e lëvizjes. Kur ne i kërkuam Serbisë që ta ndalë këtë diskriminim, ai refuzojë ta bëj këtë, dhe na detyroi që ta vëjmë reciprocitetin për tabelat. Si mund të motivohet Vuçiq që të përdorë qasje tjetër mund të shihet edhe për letërnjoftimet. Serbia ka shkelur marrëveshjet që 10 vjet. Vuçiq kërcënoi sërish me dhunë, dhe u desh të intervenojë NATO e BE. Kërcënimi ndaj stabilitetit dhe paqes ka ardhur nga një palë, s’mund të fajësohen të dy palët”, tha ajo.
Gërvalla ia ka përmendur Vuçiqit dhe deklaratën e tij në Kuvendin e Serbisë në kohën kur kishte ndodhur masakra e Srebrenicës.
“Një koleg imi evropian u befasua shumë kur kuptoi se Vuçiq ishte ministër i propagandës së kriminelit Millosheviq dhe ai nuk kërkon falje. Mijëra civilë në Srebrenicë ishin goditur e vrarë nga ushtria serbe, Vuçiq thoshte “për secilin serb të vrarë, do të vrasim 100 muslimanë”. Vuçiq promovon ideologji raciste dhe është version i ricikluar i Serbisë së madhe që ka qenë baza për gjenocidin që Serbia ka ushtruar ndaj katër shteteve të ndryshme”, tha ajo.
“Bota e di se kush e ka kryer gjenocidin në këtë rajon. Millosheviqi filloi luftën e parë katastrofike në Evropë pas luftës së dytë botërore. Vuçiq ka ndjekur sistematikisht zhvillimin më të madh ushtarak që nga shpërbërja e Jugosllavisë. Serbia ka marrë pjesë në qindra ushtrime ushtarake në Rusi”, tha Gërvalla.