Tri forca politike në Gjermani të bëra bashkë për të qeverisur, fuqinë e tyre do ta përdorin për të ndihmuar edhe Kosovën.
Nuk është e re marrëveshja ndërmjet Partisë Socialdemokrate (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP), por e re është një pikë në marrëveshjen e tyre që ka të bëj me Kosovën.
Ky koalicion gjerman që do të udhëheq me vendin, është zotuar se do të ndihmoj shtetin e Kosovës në rrugë për liberalizim të vizave, në dialogun Kosovë-Serbi si dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.
I kënaqur që Kosova është në agjendë të qeverisë së re gjermane është shprehur edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.
“Koalicioni i ardhshëm qeverisës në Gjermani nënvizoi përkushtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi dhe vuri theksin për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Rohde.
Premtimi për ndihmë në këtë drejtim për Kosovën, së fundi ishte përmendur në Prill të këtij viti, kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte takuar shefin e diplomacisë gjermane, Heiko Mass.
Në konferencën e mbajtur për medie, pas takimit, Presidentja kishte deklaruar se shteti i Gjermanisë do të ndihmoj Kosovën të ketë liberalizim të vizave.
“Për fat të keq ndikimi rus në rajonin tonë vazhdon të jetë i mundur nëpërmjet Serbisë dhe është bërë në katër fronte kryesore; i natyrës ekonomike, politike, ushtarake dhe nëpërmjet vaksinave”, kishte thënë Osmani.
“Ne e ri-konfirmojmë orientimin tonë strategjike pro-perëndimor”.
“Sa më shumë që BE e përkrah Ballkanin në procesin e integrimin evropian aq më shumë do ta largoj ndikimin rus. Prandaj është e rëndësishme që ta kemi një rol të Gjermanisë që të ecim përpara”.
“Në shpresojmë shumë që Gjermania do t’i bind ato pak shtete që kanë mëdyshje për liberalizimin e vizave”, kishte deklaruar Osmani.
“Hyrja jonë në BE është hyrje në vendin ku na takon edhe historikisht”.