Gjilani dhe Prishtina ndahen në paqe, barazojnë në kryendeshjen e javës

Gjilani dhe Prishtina ndahen në paqe, barazojnë në kryendeshjen e javës

Ndeshja kryesore e javës së 13-të e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, u mbyllë me rezultatin 1:1, përkundër mundësive të shumëta nga dy skuadrat për të mbyllur takimin me fitore, shkruan Gazeta Enigma.

Pjesa e parë ishte e nivelizuar, me raste të mira shënimi në të dy portat. Së pari Progni i vendësve rrezikoi në minutën 8’ por portieri mysafir e pret gjuajtjen e tij.

Më pas Prishtina regjistroi dy raste të mira, në minutat 10′ e 12′ përmes Otto John, i cili në rastin e parë doli përballë portierit Koliçi por gjuajti jashtë, kurse në të dytin gjuajti me kokë nga afërsia pranë shtyllës.

Gjilani regjistroi edhe një rast të mirë në minutën 14’ përmes Prognit, i cili nuk u gjend si duhet para portës mysafire.

Goli i parë erdhi në minutën 30′, pas një ngathtësie të repertit defansiv vendës, Kryeziu provoi por nuk arriti të godas, e topi i dëbuar shkoi në këmbët e Mendurim Hoti, i cili vetëm ia ndërroi kahjen për ta vendosur në portë, për epërsinë e bardhekaltërve nga Prishtina.

Në minutën 37 Torassa qëllon vetëm shtyllën pas një harkimi nga Progni, e më pas, në minutën 41’ edhe Hajdari provon të barazoj rezultatin, por topi kaloi pranë shtyllës, për të shkuar skuadrat në pushim me avantazhin minimal të mysafirëve.

Kur pritej që Gjilani të merrte në tërësi iniciativën në pjesën e dytë, Useini u ndëshkua me karton të kuq për të përkeqësuar akoma më shumë punët e vendësve.

Por Gjilani nuk u dorëzua dhe në minutën 67’ Progni shënoi nga pika e bardhë, për barazimin e shifrave, i cili doli të jetë gol për epilogun përfundimtar 1:1.

Më pas, ekipi i Ismet Munishit pati edhe disa raste të mira shënimi, por portieri i Prishtinës, Betim Halimi ishte në top formë dhe nuk ia lejoi një gjë të tillë. /Gazeta Enigma/

Related Articles