Gjilani me serinë më të gjatë pa humbje në Superligë

Gjilani me serinë më të gjatë pa humbje në Superligë

Skuadra e Gjilanit po kalon formë të mirë në edicionin 2021/2022 në Superligën e Kosovës në futboll.

Gjilanasit renditen në vendin e dytë pas 16 xhirove të zhvilluara. Kanë 29 pikë, një më pak se Ballkani që është lider.

Gjilani është ekipi që ka serinë më të gjatë pa humbje në elitën e futbollit kosovar, këtë edicion. Në 11 ndeshjet e fundit, ekipi i trajnerit Ismet Munishi ka shënuar gjashtë fitore dhe ka pesë barazime. Ka vetëm një humbje, nga Ulpiana në shtëpi me shifrat 3:2. Dhjetë ndeshje rresht pa disfatë kishte Ballkani, por tashmë Gjilani i ka kaluar suharekasit.

Gjilani po ashtu është ekipi me më së shumti barazime në Superligë. Ka barazuar tetë herë deri me tani, karshi shtatë fitoreve dhe një disfate.

Njëri prej futbollistëve më të dalluar të Gjilanit është Albert Dabiqaj. Ai ka shënuar tri gola në këtë kampionat. Madje, realizoi golin e fitores në derbin kundër Dritës, në kuadër të xhiros së 15-të.

Dabiqaj ka thënë për Kohën se deri me tani ka shkuar gjithçka mirë. Ai mendon se Gjilani ka ekip të bashkuar dhe se 11 ndeshjet pa humbje nuk janë befasi. Mesfushori i gjilanasve beson se potenciali i ekipit është që të arrihen shumë suksese, përcjellë Gazeta “Enigma”.

“Ky sezon ka qenë mjaft pozitiv për ne edhe pse kemi mundur të bëjmë edhe më shumë, gjithmonë duke u bazuar në kualitetin që kemi brenda skuadrës. Sidoqoftë ne jemi duke punuar shumë që t’i arrijmë objektivat që i ka vendosur klubi këtë edicion. Natyrisht se jemi brenda objektivave, megjithëse kemi mundur të bëjmë edhe më shumë. Ky nuk është i gjithë potenciali ynë, keni çfarë të shihni në vazhdim”, u shpreh Dabiqaj. “Objektivat janë të qarta dhe normalisht qe po punojmë për t’i arritur ato”.

Ai ka folur edhe për formën e mirë që po kalon. Dabiqaj shpreson që t’ia shpërblejë drejtuesve të Gjilanit besimin që ia kanë dhënë.

“E vlerësoj pozitivisht edhe formën time personale, pasi që kam ndërruar ambient dhe jam adaptuar shumë shpejt. Kjo edhe falë pritjes fantastike në Gjilan dhe kushteve e organizimit që e ka ky klub. Shpresoj që do t’ua shpërblej edhe më shumë me paraqitje të mia këtë besim”, deklaroi Dabiqaj.

25-vjeçari është rritur te Besa e Pejës. Më pas ka kaluar te Feronikeli, më të cilën skuadër ka fituar gjithçka në futbollin e Kosovës. Ai është paraqitur me ekipin nga Drenasi edhe në garat evropiane.

Në 16 ndeshje të luajtura deri me tani, gjilanasit kanë shënuar 19 gola dhe kanë pranuar 12. Kanë mbrojtjen e dytë më të mirë në ligë pas Dritës, që ka pranuar dhjetë gola.

Në xhiron e 17-të Gjilani do të jetë nikoqir i Malishevës. Ndërkohë, të mërkurën, Gjilani do të luajë kundër A&N në kuadër të rrethit të dytë të Kupës së Kosovës në futboll./Gazeta “Enigma”/

Related Articles