Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë, Gabriel Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë ditës së djeshme kanë ardhur për vizitë zyrtare në Kosovë.
Të dërguarit special për dialog Escobar dhe Lajçak janë takuar në orët e pasdites me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas këtij takimi Lajçak ka përmendur një prej temave të cilat janë diskutuar me presidenten Osmani.
Lajçak tha se në këtë takim është rënë dakord për nevojën e përshpejtimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Në Kosovë, së bashku me Escobar kam takuar Vjosa Osmanin dhe ndër të tjera kemi rënë dakord për nevojën e përshpejtimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, deklaroi Lajçak.
Gjithashtu, Lajçak dhe Escobar kanë deklaruar se vizita e sotme është dëshmi se SHBA dhe BE vazhdojnë të punojnë së bashku për arritjet e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Ndërsa, Osmani tha se në takimin me përfaqësuesit për dialog u diskutua se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit”, ka thënë presidentja Osmani.
Tutje ajo përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.
“Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut”, ka deklaruar ajo.
Përveç kësaj, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurti i cili nga ky takim tha se e mbështesin procesin e Berlinit, teksa tha se integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë, ku u shpreh se BE-ja dhe NATO-ja janë fati i Kosovës.
“Gjithashtu, angazhohemi edhe për bashkëpunimin rajonal, ne e mbështesim fuqishëm procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal dhe e ritheksova që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë. Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian e NATO-ja, janë fati ynë”, është shprehur Kurti.
Tutje ai tha se në këtë kuptim dëshiron ndihmën e Bashkimit Evropian, teksa shtoi se kjo ndihmë do të hasë në Kosovë respektin më të lartë për vlerat evropiane.
Në vazhdën e takimeve të Escobar dhe Lajçak, pjesë ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Bislimi ka ritheksuar se dialogu është në shërbim të qytetarve.
“Dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.
Ai u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE. Z. Escobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e SHBA-ve.
Ndërkohë, Emisari i Bashkimit Evropian, z. Lajçak tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar më tej në këtë proces. Gjithashtu, z. Bislimi konfirmoi përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në proces dialogut.
Ndryshe, pas përfundimit të takimeve që kishin në agjend, Lajçak ka thënë se vizita e përbashkët me Escobarin është mesazh se SHBA dhe BE-ja punojnë së bashku për procesin e dialogut. Ndërsa, Escobar riktheksoi se SHBA-ja mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj. /Gazeta Enigma/.