Në Serbi po votohet në zgjedhjet e rregullta presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pa shumë entuziazëm për ndyshim pushteti. Një politikan serb raportohet se u sulmua në procesin, që po përcillet me disa incidente. Vuçiqi dhe partia e tij janë favoritë për të fituar sërish, ndërsa shumica e partive shqiptare në Luginën e Preshevës po marrin pjesë në zgjedhje. Serbët nga Kosova kanë udhëtuar me autobusë për të votuar në jug të Serbisë.
Të paktën 30 autobusë me qytetarë serbë të Kosovës u nisën drejt Serbisë në orët e hershme të mëngjesit. Pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq refuzoi t’i dërgonte kërkesë zyrtare Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, kryeministri Albin Kurti tha se atij nuk mund t’i kërkohet të mos e njohë Republikën e Kosovës, duke lejuar organizimin e zgjedhjeve serbe.
Burime të Express brenda Policisë së Kosovës thanë se deri më tani rreth 11 mijë persona e kanë kaluar kufirin Kosovë-Serbi, në disa pika kufitare të vendit.
Në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë po votojnë edhe shqiptarët e Luginës. Shumica e partive shqiptare të Luginës së Preshevës po marrin pjesë në këto zgjedhje. Ato garojnë me dy lista të ndara, me synimin e përbashkët për t’i fituar 3 mandate në parlamentin serb.
Në 38 vendvotime në Komunën e Preshevës raportohet se deri në orën 10:00 kanë votuar 1.6% qytetarë.
Politikani shqiptar nga Presheva, Shqiprim Arifi, thotë se shqiptarët, secili, duhet votuar për të legjitimuar kërkesat e tyre në Parlamentin e Serbisë dhe ‘për të dënuar programet diskriminuese kundër çdo shqiptari’.
“Sot, Lugina e Preshevës ka nevojë për çdo secilin nga ju; për votën tuaj, për të legjitimuar kërkesat tona në Parlament e për të dënuar programet diskriminuese kundër çdo shqiptari. Dilni dhe votoni, për të siguruar që çdo qytetar të ketë zë dhe çdo shqiptar të ketë votë”, ka shkruar Arifi.
Deri në orën 12:00, sipas mostrës nga tri vendvotime në Bujanoc, Danas raporton 9,77 për qind e qytetarëve kanë votuar nga gjithsej 43.112 që janë në listë.
Policia e Kosovës e vlerësoi si të qetë dhe stabile situatën e sigurisë në mëngjes, ndërsa referuar mbajtjes së zgjedhjeve serbe dhe organizimeve të qytetarëve për të udhëtuar në forma të ndryshme drejt Serbisë për të votuar, në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë u krijuan kolona dhe pritje.
“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, u tha në njoftimin e Policisë.
Rashka është një nga katër komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, e që kanë nënshtetësi të Serbisë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Deri në orën 11:00, më shumë se 2 mijë qytetarë nga komuna e Artanës, Gjilanit, Dardanës dhe Vitisë kanë shkuar në Bujanoc për të votuar, sipas gazetës serbe, Danas. 19.442 qytetarë nga katër komunat kosovare raportohet se kanë të drejtë vote në zgjedhjet e Serbisë.
Transport iu mundësua edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.
Mediat serbe raportuan se Policia e Kosovës po i kontrollon serbët që ishin nisur drejt Serbisë për të votuar në zgjedhje. Nga institucioni për mbajtjen e rendit i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës, i tha Gazetës Express se “nuk ka pasur raste të tilla” dhe se “nuk ka ndalesa të autobusëve”.
Në Serbi, Danas raportoi se politikani serb Bratislav Jugoviq është sulmuar në Çaçak.
Sondazhet parazgjedhore, megjithë optimizmin nga opozita e ndarë serbe, sugjerojnë se presidenti aktual Aleksandar Vuçiq mund të fitojë rundin e parë me rreth 60 për qind të votave dhe koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit parashikon ta marrë shumicën në parlamentin serb, raporton N1. / Gazeta Enigma.