Gjithçka që ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë

Gjithçka që ndodhi gjatë kësaj jave në Kosovë

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës e cila u mbajt ditën e premte  pati shumë debate e tensionim të situatës mes deputetëve, shkruan Gazeta Enigma.

Përplasja mes ministres së Drejtësis, Albulena Haxhiu dhe deputetes nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ishte deklarata që bërë zhurmë dhe ngjalli debate si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij.

‘’Kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni. Si e takoni një ministër të Drejtësisë të Gjermanisë e ndonjë vendi tjetër, kur në CV ju shkruan për kunatin. Sa për dhëndrin as nuk është arrestu dhe është shpifje që e keni thënë dhe do të mbani përgjegjësi”, ishte deklarata e Deliut drejtuar ministres Haxhiu.

Deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra

Kurse kjo e fundit në replikën e saj, kishte thënë se nuk dëshiron të flas me gjuhën e njëjtë siç duan disa nga deputetët e PDK-së.

Përplasja e deputetes, Blerta Deliu-Kodra dhe e ministres, Albulena Haxhiu

E pas kësaj erdhi edhe reagimi i Muhamet Krasniqi, i njohur me nofkën “Komandant Malisheva”, emri i të cilit u laku në seancën plenare të parlamentit.

“Ajo ka gabuar rëndë duke e akuzuar Albulena Haxhiun, duke mos pas bazë tjetër  se ku të kapet tjetër, si kundër-akuzë e përdori rastin tim, de-fakto duke dalë në anën kundërshtare, të cilët gjithmonë UÇK-në e kanë quajtur organizatë terroriste”, kishte deklaruar Krasniqi.

Tutje, ai e ka akuzuar qeverinë e atëhershme, se e dinin paraprakisht për aksionin që do të nodhte në Kumanovë, si dhe i bëri thirrje Deliu-Kodrës që të formojë një grup parlamentar që të del në shesh e vërteta.

“Unë pres që qeveria Kurti të bëj diçka për neve, ka bo diçka edhe Qeveria Haradinaj, por tash le të vazhdon edhe kjo qeveri”, ka përfunduar Krasniqi.

Mirëpo, pas gjithë kësaj erdhi edhe reagimi i deputetes Blerta Deliu-Kodra.

Ajo përmes një postimi në llogarinë në “Facebook”, kishte shkruar se nuk mendon se pjesëtarët e grupit ‘Kumanova” janë terroristë.

“Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”’, ka shkruar Deliu-Kodra.

“Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh”, kishte përfunduar ajo.

Deklaratat e deputetëve tjerë në seancën e së premtes

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, lidhur me deklaratën e deputetes Blerta Deliu, kërkoi nga ajo dhe PDK-ja që të kërkojnë falje për cilësimet si terroristë për kunatin e ministres Albulena Haxhiu i cili ishte arrestuar me grupin e Kumanovës.

Ndërsa, nga ministrja e Drejtësisë  kërkoi që të flasë për ligjet dhe jo të fjaloset me deputetët.

“Mendoj se për ministren është me rëndësi me i kalu ligjet, por si duket ti e ke më të rëndësishme me i thanë diçka një deputeti tjetër apo me u fjalos pastaj ndodhi edhe ajo tjetra”, ka thënë ai.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, derisa ka folur për procesin e Vettingut në drejtësi, iu drejtua ministers, Albulena Haxhiut, se sipas tij BE-ja nuk mund t’i lë të zhvillohet ky proces “derisa ka staf të kriminalizum”

Tahiri aludoi në vëllain e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, për të cilin tha se merret me fajde.

“Ki staf, njerëz të kriminalizum, vëllai i zv/ministrit i involvum në fajde, jep pare me fajde, qet harraq, është ministër i drejtësisë. Ku me të lënë BE-ja me bë Vetting, me u marr me konfiskim. Ju jeni kompromitum. Është e pamundshme…”, tha Tahiri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri

Në këtë seancë nuk munguan as kritikat nga deputeti i LDK’së drejtuar ministres Haxhiu.

Deputeti, Driton Selmanaj replikoi ashpër me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila foli për Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.

Ai i tha ministres Haxhiu se në pushtet, nuk flitet kështu, por nëse ka fakte, ato çohen në Prokurori.

Ai madje e ka cituar akademikun Mark Krasnsiqi dhe librin e tij “Mos fol gojë, pa nevojë”.

“Kryetar, i ndjeri akademik, Mark Krasniqi e ka pas një libër me titull ‘Mos fol gojë, pa nevojë’, dhe kam përshtypje se më së shumti i shkon kësaj ministre, s’po e përmendi. Thotë unë kam informata që Komisioni paraprak me listë kush me shkuar aty”.

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj

Ndryshe, në këtë seancë plenare kishin qenë në rend dite 36 pikat e mbetura nga seanca e së enjtes.

Ndërsa u miratuan 16 amandamentet dhe projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.

Me 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim projektligji për Ndihmë Juridike Falas. Po ashtu, 62 deputetët kanë votuar pro në parim për projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve.

Në parim është miratuar edhe projektligji për dizajnin industrial, mbrojtjen e konkurrencës, për deminim humanitar, shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural dhe projektligji për patentat.

Kurse, seanca e rrallës do të mbahet të hënën në orën 14:00.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, PZAP urdhëron KQZ-në të mos i përfshijë në rezultat votat me postë në Dragash

Të shtunën, Komisioni Qendror Zgjedhor publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për raundin e dytë për kryetar komune.

Me shumicë votash anëtarët e KQZ-së miratuan rezultatet e zgjedhjeve për 20 komuna që kanë qenë në balotazh.

Kurse për komunën e Dragashit, PZAP urdhëroi KQZ-në, që të mos i përfshijë votat me postë lidhur me rastin e shpalljes së rezultatit përfundimtar për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura me 14 nëntor të këtij viti.

E kjo pasi PZAP pranoi ankesën e kandidatit për kryetar të Komunës së Dragashit nga radhët e PDK’së, Shaban Shabani.

Sipas ankesës së Shabanit, ai pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania janë të organizuara nga më së shumti tre persona, të shkruara me dorën e njëjtë.

Po ashtu ai pretendon se të njëjtat janë dërguar me postë nga një person, brenda disa minutash.

Ndërsa, LDK e pa kënaqur me vendimin e PZAP’së, në një konferencë për media bëri të ditur se ka dërguar në Gjykatën Supreme ankesën kundër këtij vendimi.

LEXO EDHE: LDK ankohet në Supreme pas vendimit të PZAP-it në Dragash

E mos përfundimin e procesit për rezultatet përfundimtare në Dragash e konfirmoi edhe Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi pasi që për rezultatin e kësaj komune ka ankesë në Gjykatën Supreme.

“KQZ mund t’i shpall rezultatet për 20 komuna përjashtuar Dragashin, dje të premten PZAP ka marrë vendim për apelin e paraqitur që i takon komunës së Dragashit dhe ka lejuar ankesën në Gjykatën Supreme”, kishte deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Sipas rezultateve të votave me postë, Bexhet Xheladini nga LDK kishte marrë 359 vota, ndërsa Shaban Shabani nga PDK 77 vota.

Grabitje me armë në mes të rrugës dhe tentim vjedhje në një argjendari në Prizren

Pasditen e ditës së enjte në Parallovë të Gjilanit, katër persona duke përdorur armë zjarri kishin sulmuar automjetin e një kompanie sigurimesh i cili po transportonte para.

Autorët e veprës kishin shtënë më armë AK/47, derisa dyshohet se kanë vjedhur nga automjeti një shumë parash dhe dy armë zjarri, pronë e kompanisë së sigurimit.

Pas aktit, të dyshuarit i kanë vënë zjarrin veturës së tyre të llojit Opel Zafira dhe janë ishin larguar në drejtim të panjohur.

Kurse, Policia e Kosovës deklaroi se rasti vazhdon të hetohet në mënyrë intensive nga njësitet relevante të PK-së.

Kurse, mbrëmjes e së hënës në Prizren u raportua për një tentim grabitje në një argjendari në këtë qytet.

Tre persona të maskuar dhe të armatosur kishin tentuar të kryejnë grabitje, ku të plagosur mbetën pronari i lokalit dhe djali I tij.

Të dyshuarit nuk kishin arritur të kryenin grabitjen dhe më pas ishin larguar nga vendi I ngjarjes me veturë.

Por të enjten ishin arrestuar tre personat e dyshuar për këtë rast.

LEXO EDHE: Zbulohet plani i hajnave pasi dështuan të vjedhin në argjendarinë në Prizren

Pamje nga vendi i ngjarjes pas tentim vjedhjes së armatosur në Prizren

Ndërkaq, mbrëmjen e së shtunes, Policia e Kosovës ka arritur të arrestoj edhe personin e katërt i cili dyshohet se ishte pjesë e tentim-grabitjes në argjendari në Prizren.

Lajmin e konfirmoi për Gazetën Enigma, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Personi në fjalë është arrestuar me dyshimin për veprën penale grabitje në tentativë me datën 15 nëntor në Prizren”, deklaroi ai./Gazeta Enigma/

Related Articles