Gjykata merr vendim për gruan që ndihmoi në rrëmbimin e biznesmenit Bedri Rexhepi

Gjykata merr vendim për gruan që ndihmoi në rrëmbimin e biznesmenit Bedri Rexhepi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gruas që dyshohet se ndihmoi në rrëmbimin e biznesmenit, Bedri Rexhepi.

Në një komunikatë për media, kjo gjykatë ka njoftuar se të dyshuares i është caktuar një muaj paraburgim për veprën penale “Ndihmë” në kryerjen e veprës penale “Rrëmbim”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures A.R, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Rrëmbimi nga neni 191 paragrafi 3 pika 3.2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Çka dihet deri më tani për zhdukjen e Bedri Rexhepit

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar për Express se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.

Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.

“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, ka deklaruar ai.

Related Articles