Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M., G.P., dhe K.K., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 20.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve N.M., G.P., dhe K.K., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj për secilin, e cila masë iu llogaritet nga data 24.12.2024 deri më datë 23.02.2025”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ndonëse janë bërë më shumë se një vit nga vrasja që tronditi gjithë vendin, Prokuroria Themelore e Prishtinës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarit tjerë, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim që nga koha kur ka ndodhur vrasja. Tre të dyshuarit po mbahen në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.