Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Ka plot raste kur viktimat hasin në hajnat që kanë hyrë brenda shtëpive, duke u ballafaquar kështu direkt me rrezikun.
Një rast i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën ‘Malo Gami’ në Veternik të Prishtinës, ku dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë për të kryer vjedhje në një shtëpi.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se brenda shtëpisë ndodhej gruaja e cila është ndihmëse në punët e shtëpisë, e që u përball direkt me hajnat të cilët në mënyrë të kamufluar arritën të futen brenda.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, dy të dyshuarit fillimisht janë prezantuar si punonjës të një kompanie private dhe se atje kishin shkuar për të montuar një pajisje elektroshtëpiake.
E me të hyrë brenda, viktima ka pohuar se të dyshuarit e kanë lidhur për karrige dhe e ia kanë drejtuar armën në kokë.
Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të cilësohet ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të identifikohen dhe të kapen të dyshuarit.