Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka folur rreth çështjes se rritjes së naftës, produkteve ushqimore dhe panikut që është shkaktuar tek qytetarët.
E pyetur se a ka gjasa që qeveria ta pezullojë akcizën dhe TVSH-në për naftën, Hajdari tha se kanë biseduar me vetë naftëtarët dhe ata janë të interesuar që të shkohet me marzhën 2 me 8.
“Deri më tani, ne kemi diskutuar për marzhën tregtare 2 me 8 dhe kemi diskutuar për rritjen e stoqeve të rezervës shtetërore. Pra, deri më tani jemi në këto dy valë dhe është diskutuar në tavolinë akciza, por vetë naftëtarët janë më shumë të interesuar që të shkojmë me marzhën 2 me 8”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media.
Më tej, Hajdari tha se çmimi i naftës po vijon të rritet, teksa shtoi se produkteve esenciale çmimi u caktohet nga berzha, teksa shtoi se qeveria nuk mund t’i kontrollojë çmimet, por mund të marrin masa dhe tha se këtë e kanë bërë duke filluar që nga nafta.
“Duke e ditur që tregtarët mund të furnizohen dje në Durrës e sot caktojnë çmimet sipas berzhës, kjo nuk është një lojë fer në treg dhe përmes bashkëpunimit me autoritetin e konkurrencës ne do t’i identifikojmë të gjitha këto marrëveshje të përbashkëta të tregtarëve”
“Nganjëherë thonë se nuk kemi edhe stoqe, por unë jam në vëmendje të afërt me shtetet e rajonit duke shikuar se a kemi mundësi apo bllokadë që njoftohen ose keq-njoftohen. Pra, s’kemi asnjë bllokadë sa i përket furnizimit të naftës. Stoqe ka dhe nuk kemi bllokadë”, është shprehur Hajdari.
Më tej, ajo tha se nuk ka nevojë për panik tek qytetarët, sepse sipas saj, Kosova nuk ka rrezik për mbyllje të kufijve rreth çështjeve të importit, edhe sa i përket grurit.
“Nuk e di pse nevojë për panik kur nuk ka rrezik për mbylljen e kufijve apo të stoqeve. Kosova nuk ka importuar grurë nga Ukraina, pra nuk lidhet me eksportin e Ukrainës”, ka thënë Hajdari. / Gazeta Enigma.