Tashmë data e zgjedhjeve nacionale është caktuar, por edhe deklarimet pompoze të politikanëve vecse kanë nisur, shkruan Gazeta Enigma.
Pas deklaratës së tij se pas ardhjes në pushtet të partisë së tij “nuk do të ketë pagë nën 1 mijë euro, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj adresoi akuza të rënda kundrejt partisë në pushtet.
Haradinaj shkroi në një postim në Facebook se si Kurti dhe partia e tij “vodhën popullin e Kosovës”.
“Kur flet Kurti për korrupsionin sikur edhe për shumë tema tjera vjen një shprehje ajo fjala popullore “të vret natën e të vajton ditën”. Që nga ardhja në pushtet Kurti dhe VV me mashtrime dhe në formën më tinzare në mënyrë sistematike dhe tek resorët më të ndjeshëm vodhën popullin e Kosovës”, shkroi Haradinaj.
Ai theksoi se “Me Ridin vodhën bukën e Kosovës atëherë kur kishte frikë botërore nga kriza e bukës. Me Nagipin vodhën rrymën në kohën kur në bursa çmimi kishte arritur majat e papara. Popullit ja dyfishuan çmimin e Nagipin e Martinin që ndërmjetësoj në shitjen e rrymës serbe ende i mbrojnë dhe i mbajnë si heronj. Mbi 280 milionë euro para të popullit i larguan nga konkurrenca dhe ligji dhe me partnerë në krim i përdorën si me qenë plaqkë gjahu”, shtoi ai.
“U mashtruan se kontratat e klasifikuara mbesin përgjithmonë të klasifikuara dhe u “flliqën” deri në atë masë sa blerjet e tyre rrezikojnë sigurinë e njerëzve të Kosovës. Asgjë nuk do të ndal deklasifikimin e këtyre kontratave dhe asgjë nuk do të ndal konfrontimin e hajnive të tyre me qytetarin e Kosovës. E shpejtë do të jetë dita kur lufta e njëmendtë kundër korrupcionit do të filloj e “vajtuesit e ditës” do të shihet se janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”, shkroi tutje ai. / Gazeta Enigma.