Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ka refuzuar të jap dëshmi në Prokurori, por ka kërkuar që intervista të bëhet në Zyrën e Kryeministrit, raporton Gazeta Enigma.
Kushdo që proklamon ndryshe, sipas Haxhiut “po gënjen”.
“Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar kërkesën që të jap dëshmi. Kryeministri i ka ftuar prokurorët të vijnë në zyrën e tij në kryeministri të jap dëshminë e tij, por që prokuroria nuk duket që është e interesuar për ta marrë dëshminë e tij, sepse ka pasur disa mundësi, disa data që ka propozuar Kurti dhe nuk ka ardhur për të marrë dëshminë”, tha Haxhiu.
Ajo ka thënë se nëse Prokuroria ka theksuar që Kurti ka refuzuar të dëshmojë, kjo është gënjeshtër.
“Nuk e di si saktësisht Prokuroria i është referuar Gjykatës, nuk e kam parë, nëse Prokuroria ka thënë që Kurti s’po pranon të jap dëshmi, kjo është gënjeshtër. Kurti nuk ka refuzuar të jap dëshmi. Neni i Prokurorisë Speciale ka të bëjë me persona që refuzojnë të japin dëshmi, dhe jo kur një person, kryeministri thotë që jap dëshmi, iu ftoj në zyrën time. Nëse i është drejtuar kështu gjykatës, e ka mashtruar Gjykatën. Nëse ka thënë se po refuzon, është mashtrim”, tha ministrja Haxhiu.
Ajo ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më politik.
“Asnjëherë më politik s’ka qenë sistemi i drejtësisë. Kur nuk kanë mundur të na ndalin në Kuvend ose analistët, kanë zgjedhur Prokurorinë Speciale. Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na dëmtuar, frikësuar nuk kanë arritur të na ndalin. Mbështeja qytetare është shumë e madhe, prandaj është dëshmi e qartë që ne duhet të vazhdojmë t’i adresojmë të gjitha zotimet”, tha ajo.