Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës që e cilësojnë si figurë përçarëse.
Haxhiu tha se këto kritika nuk qëndrojnë dhe se në politikë përballjet janë të natyrshme.
“Arsyeja e vetme që po përmendet ndërlidhet me atë që unë jam figurë përçarëse. Nëse i keni dëgjuar deklarimet e opozitës, thonë se jam konfliktuoze. Por unë kam qenë 11 vjet deputete në opozitë dhe gati 5 vjet ministre e Drejtësisë,” tha Haxhiu në një intervistë për Top Channel.
Ajo shtoi se përballjet politike janë të zakonshme dhe se nuk mund të jetë kriter për të mos e mbështetur kandidaturën e saj.
“Në politikë nuk jemi që të na duan opozita apo ne t’i duam ata. Jemi ballafaquar me shumë situata të papërshtatshme, por kjo nuk është arsye për refuzim,” tha ajo.
Haxhiu shprehu besimin se situata aktuale në Kuvend do të zgjidhet së shpejti dhe bëri thirrje për përfundimin e bllokadave institucionale.
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mblidhen sërish sot për të vijuar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë, ku në rend ditë janë: zgjedhja e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.