Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar pas disa marrëveshjeve të nënshkruara nga mbledhja e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.
Haxhiu ka thënë se integrimi i institucioneve të të dy shteteve do t’i forcojë ato dhe si të tilla do t’iu shërbejnë më mirë e më shumë qytetarëve.
“E zotuar me vullnet dhe gatishmëri, krahas ministrave të Kabintetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe pranë kolegëve nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, nënshkruam Marrëveshjen për ndihmë juridike në çështjet civile dhe tregtare, e cila do të rregullojë procedurat në gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë, marrëdhëniet tjera civile ose tregtare të personave fizik por edhe të personave juridik”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.
“Integrimi i institucioneve tona kombëtare të të dy shteteve, do t’i forcojë ato dhe si të tilla do t’iu shërbejnë më mirë e më shumë qytetarëve tanë, të cilët çdo herë e më shumë do të ndihen dhe trajtohen plotësisht si në atdheun e tyre, pavarësisht nëse do të jenë andej apo këtej kufirit”, shtoi tutje ministrja.
Nga mbledhja e sotme e përbashkët, dy qeveritë nënshkruan gjithsej 13 marrëveshje.