Kombëtarja e Kosovës i ka mësuar emrat e kundërshtarëve për kualifikimet në Kampionatin Europian të vitit 2024 në hendboll që zhvillohet në Gjermani.
Shorti për fazën kualifikuese është tërhequr sot në Berlin të Gjermanisë.
Kosova për short ishte e para në vazon e katërt, më lartë se në shortin e kaluar.
Kosova në kualifikime do të garojë në Grupin e shtatë. Do të përballet me Slloveninë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Pra të gjitha përfaqësueset janë nga ish-shteti i dikurshëm federativ, Jugosllavia.
Në Evropian kualifikohen dy përfaqësueset më të mira të secilit grup dhe katër prej tetë përfaqësueseve të vendit të tretë.
Faza kualifikuese fillon më 12 tetor të këtij viti dhe përfundon më 30 prill të vitit të ardhshëm. Ndërsa “Euro 2024” zhvillohet prej 10 deri më 28 janar. Në Evropian janë kualifikuar direkt Gjermania si nikoqire, kampionia në fuqi, Suedia, si dhe medalistet nga Euro 2022, Spanja e Danimarka.