Historia inspiruese e Bedrije Shurdhanit, kryefamiljarja që me punëdore e mban familjen e saj

Historia inspiruese e Bedrije Shurdhanit, kryefamiljarja që me punëdore e mban familjen e saj

Bedrije Shurdhani nga Gjilani, është një shembull frymëzues i forcës dhe vendosmërisë së një gruaje, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pas humbjes tragjike të burrit të saj, Bedrija u gjend përballë sfidave të mëdha që jeta i solli.

Me të dalë nga lufta, shtëpia e saj ishte dëmtuar, dhe si një nënë kryefamiljare me një djalë pesëvjeçar, ajo duhej të rindërtonte jo vetëm jetën e saj, por edhe të djalit.

Qepësia, një aftësi që Bedrija e kishte kultivuar që nga fëmijëria, u bë jo vetëm një pasion por edhe një mjet mbijetese.

Përballë një tregu pune të paqartë dhe të shkatërruar nga lufta, ajo vendosi të punojë nga shtëpia për të qenë pranë djalit të saj.

“Unë kam punuar gjithmonë punëdore si e vogël, por pas luftës, e kam kuptuar që puna ime do të jetë burim i mbijetesës”, tha ajo.

Ajo kujton momentet më sfiduese të jetës së saj, por edhe mënyrën se si e gjeti forcën për të vazhduar tutje.

“Sfida më e madhe e imja ka qenë për t’i shëruar plagët e luftës. Shtëpija ishte e shkatërruar, burri i vdekur, por me punë i kam tejkaluar të gjitha. Kam pasur momente kur kam menduar të hiqja dorë, por e kam gjetur forcën te djali dhe i kam kaluar të gjitha”, u shpreh ajo.

Përkushtimi i saj ndaj qepësisë bëri që ajo të fitonte reputacion në komunitetin e saj dhe më gjerë.

Pa mbështetje të madhe nga Qeveria, veç ndihmës modeste sociale dhe ndihmës së rastësishme nga familjarët, ajo u mbështet kryesisht në talentin dhe punën e saj të palodhur.

“Kam pasur momente të mëdha krenarie kur klientët e mi janë ndarë shumë të kënaqur me punën time, por edhe kur kanë folur për punën dhe suksesin tim në këtë zanat”, tha Bedrija.

Ajo gjithashtu ndihet e kënaqur me zhvillimin e tregut të këtij zanati deri më tani.

“Tani jam shumë e kënaqur me tregun e punës pasiqë dikur bëja shitje vetëm nga shtëpia, e tani mund të bëjë shitje edhe online, nga të gjitha rrjetet”, tha ajo.

Bedrija kujton mbështetjen e madhe të familjes, të cilët e kanë motivuar të vazhdoj tutje.

“Kam pasë shumë persona që më kanë dhënë përkrahje dhe frymëzim, sidomos nga ana e familjes time”, vazhdoi ajo.

Ajo ka një mesazh për gratë dhe nënat që gjenden në të njëjtën situatë siç është gjendur ajo.

“Të gjitha nënave dhe grave që janë duke u përballur me sfida dhe situatën siç jam gjendur unë, ju propozoj me punëdorë ose çfarëdo që atyre ju shkon për dore, sepse me punë arrihen të gjitha”, përfundoi ajo.

Historia e Bedrije Shurdhanit është një dëshmi e fuqisë së vetëpërkushtimit dhe e aftësisë për të kapërcyer vështirësitë e mëdha.

Ajo nuk u dorëzua kurrë, duke gjetur mënyra për të mbështetur veten dhe djalin e saj përmes një aftësie që shumë do ta konsideronin të thjeshtë.

Bedrija sot vazhdon të punojë me dashuri, duke filluar çdo ditë me zhurmën e lehtë të makinerive të qepjes, duke qëndisur jo vetëm veshje por edhe shpresa dhe të ardhme për familjen e saj.

Historia e Bedrijes tregon se me forcë, vendosmëri dhe talent, mund të kapërcesh çdo pengesë që të vendos jeta. Ajo është një frymëzim për të gjithë, veçanërisht për gratë dhe nënat që përballen me sfida të ngjashme, duke treguar se suksesi mund të vijë nga vendet më të papritura dhe nga puna më e thjeshtë. /Gazeta Enigma/

Related Articles