Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një konferencë për media para ambasadës amerikane është pyetur edhe rreth shumë shqetësimeve të ngritura se draft-statuti i propozuar nga BE do t’iu japë një lloj autonomie serbëve në veri.
Hovenier ka thënë se shumë njerëz të cilët ende s’e kanë parë draftin po komentojnë për të dhe sipas tij, dikush që s’e ka parë draftin s’ka ndonjë bazë që të flasë për të.
Ai tutje ka përsëritur se SHBA beson fuqishëm që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, s’duhet të jetë një nivel i tretë i qeverisjes dhe s’do të ketë kompetenca ekzekutive. Ai thotë se s’mund të ketë autonomi në këto rrethana, dhe s’ka.
Ambasadori Hovenier ka thënë se beson fuqishëm që drafti i Asociacionit i propozuar për Qeverinë e Kosovës është në përputhje me kriteret e përmendura më lartë.
Gjithashtu shton se s’ka askush arsye për t’u frikësuar meqë në Draftin e propozuar është pika që përmend verifikimin e draftit nga Gjykata Kushtetuese.
“Njerëzit që se kanë parë statutin po komentojnë. Është një trik impresiv. Dikush që s’e ka parë statusin s’ka bazë që të japin opinione për statutin. SHBA ka thënë fuqishëm që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Nuk duhet të jetë nivel shtesë i qeverisjes, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Unë nuk e shoh se si mund të kesh autonomi në këto rrethana. Nuk ka. Dhe unë besoj fuqishëm që statuti i propozuar për Qeverinë është në përputhje me këto kritere që thash më lartë. Në draft statut është pjesa që duhet të veirfikohet nga Gjykata Kushtetuese dhe s’ka pse të shqetësohet askush për këtë”, ka thënë ambasadori amerikan.