Presidentja Vjosa Osmani dhe përfaqësues të USAID-it sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh, raporton Gazeta Enigma.
Me këtë rast ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, deklaroi se populli amerikan është krenar që mund të ofrojë këtë mbështetje.
Por Hovenier nuk la pa përmendur marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë Kurti.
“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet e ShBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë se ndonëse bashkëpunimi në disa fusha me Qeverinë aktuale të Kosovës mbetet më pak pozitive se që kishin shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt siç ka qenë gjithmonë.
Hovenier tutje theksoi se “Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.
Hovenier tha se duke e përmirësuar prosperitetin për të gjithë kosovarët, këto fonde të reja do të orientohen kah veprimtaritë dhe programet që do të përforcojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës, mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive për të gjithë qytetarët e Kosovës.