Hoxhaj: Suksesi i policisë të përkthehet në fitore diplomatike, të sanksionohet Serbia

Hoxhaj: Suksesi i policisë të përkthehet në fitore diplomatike, të sanksionohet Serbia

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dënuar ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Ai thotë se është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të sanksionojë Serbinë, derisa nga Qeveria e Kosovës kërkon që suksesin e policisë ta përkthejë në fitore politike e diplomatike.

Ish-ministri i Jashtëm, njëherësh deputet i PDK-së në një intervistë për KosovaPress, thekson se sulmi i së dielës ka ndryshuar politikën rajonale dhe se kërkon qartësi edhe sa i përket vazhdimit të dialogut. Kritik tregohet ndaj udhëheqësve shtetërorë, për të cilët thotë se duhet të dalin me një strategji për të ecur përpara.

Duke thënë se nevojitet reflektim i thellë i asaj që ndodhi një javë më parë në veri të vendit dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë, Hoxhaj thekson se kjo e fundit përmes sulmit terrorist synoi aneksimin e veriun sikurse Rusia që kishte bërë me Krimenë. Paralajmëron për rrezikun që i kanoset vendit nga sulme të tjera të mundshme nga ana e shtetit serb.

Ai rendit një mori argumentesh që e bëjnë Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist të së dielës së shkuar.

“Pa dyshim se ajo çfarë ka ndodhur në veri të dielën ka qenë një sulm dhe akt agresioni i planifikuar, me agjendë të qartë politike, njerëzi të cilët kanë qenë të trajnuar, armatim i cili është siguruar nga shteti serb dhe koha e prodhimit të këtij armatimi tregon që shteti serb është mbrapa dhe në Serbi nuk mund të blesh një pistoletë, revole në treg të zi, lëre më armatim për një këmbësori të rëndë me uniforma. Por, përtej sasisë së armatimit, kohës së prodhimit, unë mendoj që vëmendja në Kosovë duhet të jetë rreth agjendës së tyre politike, platformës, qëllimit të tyre politik dhe ajo se çfarë ka ndodhur të dielën nuk është asgjë tjetër veçse e ngjashme me një përpjeke për ta aneksuar këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në pikëpamjen time është e ngjashme me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është e ngjashme me penetrimin e forcave paraushtarake, paramilitare, bandave kriminale në Donbas, është e ngjashme me mënyrën sesi ka filluar lufta në Kroaci dhe se si ka qenë agjenda e politikës serbe për të kontrolluar territorin e Kroacisë, është e ngjashme me atë se çfarë ka ndodhur në Bosnje… Partnerët tanë ndërkombëtarë… duhet ta shohin aktin e agresionit të së dielës si një pikë kthese në raportet Kosovë-Serbi dhe në politikën rajonale”, vijon Hoxhaj.

Për deputetin e PDK-së është e rëndësishme që të hetohet në tërësi rasti dhe Kosova të ripozicionohet.

“Unë mendoj se çfarë ka nevojë Republika e Kosovës në këtë kohë është që pas kësaj ngjarje të ketë një mendim të plotë pse ka ndodhur ngjarja, kush qëndron prapa saj, pse nuk është ruajtur mirëfilli kufiri në veri të vendit, sa po e bënë KFOR-i punën e tij në mënyrë të mirëfilltë dhe se si do të duhej ne këtë ngjarje ta përdorim si një ngjarje për ta rimenduar dhe për ta ripozicionuar Republikën e Kosovës. Natyrisht që dialogu është obligim për Kosovën dhe Serbinë por unë mendoj se ne nuk duhet të shkojmë në dialog pa e sqaruar mënyrën e mirëfilltë se çfarë ka ndodhur deri më tash, të dielën, cili është roli i Serbisë në këtë proces dhe cili duhet të jetë roli i faktorit ndërkombëtar që të ketë një qartësi se ku duam që të dalim”, thekson ai.

Sulmi terrorist, kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj serbomëdha, Hoxhaj thotë se dëshmojnë se Kosova nuk guxon të kthehet në tavolinën e dialogut sikurse nuk ka ndodhur asgjë.

“Jam i mendimit që i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shoh se si këtë fitore të Policisë së Kosovës ndaj një grupi terrorist ta përkthejë në një fitore të madhe politike dhe diplomatike. Dhe unë mendoj që Kosova shkon më e fortë në tavolinë, por në të njëjtën kohë jam i mendimit që kjo se çfarë ka ndodhur të dielën tregon që është koha e fundit që Kosova të bëhet të paktën pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s, është jetike që Kosova të marrë njohje nga pesë vendet të cilat nuk e kanë njohur…”, thekson Hoxhaj.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hoxhaj thekson nevojën e koordinimit me ndërkombëtarët dhe strategji shtetërore për të ecur përpara drejt normalizimit me Serbinë. Kritik tregohet ndaj udhëheqësve shtetërorë, për të cilët thotë se “nuk duhet të dalin me tituj e lajme.”

Related Articles