Dje (e shtune, 09.11.2024), gjatë ditës është raportuar se një person ka vdekur teksa ishte duke punuar në një objekt banesor në rrugën “Gucia” në Prishtinë.
Lidhur me këtë rast, sot ka reaguar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë njoftuar se i ndjeri ishte zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në poziten zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sipas njoftimit, edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtnant Bashkim Jashari u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij në FSK.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Prishtinës, Skender Govori, është shprehur se viktima dyshohet se derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i 11-të i ndërtesës, njofton Kallxo.com, transmeton Gazeta Enigma.
Govori ka konfirmuar se pas marrjes së informacionit, prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda, së bashku me hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar rastin e vdekjes së viktimës.
Rasti nga Policia e Kosovës po trajtohet si – asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës. /Gazeta Enigma