Gëzim Morina është një i ri nga Kamenica, i cili që në fëmijëri, ka filluar të merret me elektronikë. Dy vite më parë, Gëzimi ndërtoi aeroplanin më të madh, të cilin e quajti “Air Kosova”, duke e bërë të parin e llojit të vet, shkruan Gazeta Enigma.
Ai numëron rreth 100 projekte, prej atyre më të thjeshtave, deri tek projektet më të fundit, si “Air Kosova”, “RC Aeroplani”, dhe dron të ndryshëm.
Gëzimi modifikoi dronin i cili mund të përdoret për funksione ekstra, specifikisht për lëshim të objekteve nga lartësia me rënie të lirë, projekt të cilin thotë se mund të përdoret edhe nga ushtria e Republikës së Kosovës.
Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Enigma, Gëzimi tregon se si i pati fillimet e para të punimeve në këtë fushë.
“Hera e parë që ia kam fillu me u marrë me elektronikë ka qenë para 10 viteve, në shkollë fillore, ku me një libër të teknologjisë, e kam pa një qark të thjeshtë elektrik, për me e dhez një llapmë me bateri. Kam provu me bo edhe une të njejtin edhe ka funksionu. Momentin qe u dhezë drita e parë, aty e kam pa që duhet me provu me bo sene edhe më interesante. Prej asaj dite, cdo ditë kam eksperimentu, kam hulumtu duke perdor baterija, tela, gjëra të thjeshta që i gjejsha duke prishë ndonjë pajisje elektronike” tha ai.
Dëshira e madhe për fluturim, ka shtyrë Gëzimin që të filloi edhe me aeroplan dhe dron me telekomandë, të cilët mund të përdoren në fusha të ndryshme.
“Dëshira e madhe për me fluturu, më ka shty që para 4 viteve kam fillu me ndërtu edhe airoplana dhe drona me telekomandë me materiale të reciklueshme. Gjitha kjo është ma shumë si hobi” shprehet i riu nga Kamenica.
Ai tregon edhe për projektin e tij më të madh që ka kryer deri më tani, aeroplanin “Air Kosova”, dhe si e pa mundësinë që të kryej edhe projekte të tjera, të cilat mund të kenë përdorim të mirë edhe në jetën e përditshme.
“Momentalisht Airoplani më i madh në Kosovë, me telekomandë është i ndërtum nga unë, por duke e pa qe munden mu shfrytzu edhe për puë të mira, jam fokusu që me bo edhe drona, airoplana që na shërbejnë neve, për shembull: Dron për spërkatjen e arave, etj” shton ai.
I riu me prejardhje nga fshati Topanicë e Komunës së Kamenicës, thotë se për ta zhvilluar këtë fushë, duhet financim, mirëpo për këtë, mbështetje ka gjetur vetëm nga komuna, dhe jo nga instancat më të larta qeveritare.
“Mbështetje në disa projekte kam pas vetëm nga Komuna e Kamenicës, por për zhvillim edhe më të madh të kësaj fushe, nevojitet financim. Të rinjtë e Kosovës nuk po kanë mbështetje nga institucionet për zhvillim të ideve të tyre, dhe si pasojë, zgjidhja për ta është në shtetet e tjera. Nëse kjo vazhdon, edhe për mua, fatkeqësisht më pret Evropa”, përfundoi ai. /GAZETA ENIGMA/