Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj dy të akuzuarve, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Gazeta Enigma.
Kjo erdhi me vendim të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, i cili ua ka vazhduar këtë masë.
Në arsyetimin e këtyre vendimeve, thuhet se nuk ka informacione të mjaftueshme që mund të konkludohet që dy të akuzuarit të ikin nga drejtësia. Megjithatë, Paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e DhSK-së dhe të kryejnë krime të tjera ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.
Ndërsa, sa i takon masave alternative, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte argumentuar se asnjë masë nuk i zbut mjaftueshëm rreziqet përkatëse dhe se ato mund të menaxhohen më së miri vetëm në objektin e paraburgimit.
Kurse, mbrojtja e Selimit dhe e Krasniqit, nuk i është përgjigjur parashtrimeve të ZPS-së. / Gazeta Enigma.