Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se procesi i dialogut nuk është proces që ka shëmbëlltyrë pozitive dhe as sukses për tu krenuar.
Kusari-Lila ka thënë se në vitin 2017 filloi faza më e rrezikshme e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me idenë se dy palët duhet të japin diçka prej vitit 2017 filloj faza më e rëndë e rrezikshme e procesit negociator mes Kosovës dhe Serbisë, ajo e idesë së shkëmbimit territorial. Në pamundësi për ti dalë ballë kësaj teme dhe peshe të rëndë të procesit që e barte zyra e presidentit të atëhershëm u krijua një mekanizëm i ri në dialog, ai burrave të cilat në kontradiktë edhe me veten synim të marrin përgjegjësinë të cilën më parë kryeministri i atëhershëm ia kishte deleguar presidentit”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se prej idesë për shkëmbim territorial e deri tek mekanizimi antikushtetues, dëmi i asaj periudhe ende po e përcjell Kosovën.
“Ajo periudhë kohore shënoi gabimin kardinal të shtetit tonë. Gabimet e së kaluarës nuk duhet t’ia faturojmë kësaj qeverie”, u shpreh shefja e deputetëve të LVV-së.
Kusari-Lila theksoi se uniteti në dialog nuk është dobësi apo ligësi politike.