IKD del me analizë ndaj Dibran Hoxhës: Dështimi i shteti ndaj “Kobrës”

IKD del me analizë ndaj Dibran Hoxhës: Dështimi i shteti ndaj “Kobrës”

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit dhe RBF-së (Rockfeller Brothers Fund), të enjten ka publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”.

Në analizën e publikuar thuhet se IKD, përmes platformës “Betimi për Drejtësi” në shkurt të vitit 2022, kishte raportuar se Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë.

“Ky recidivist në media proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur”, thuhet nga IKD.

IKD përmes kësaj analize, bënë të ditur se nga 16 aktgjykimet e analizuara rezulton se i njëjti ishte dënuar me dënime me kusht e me gjobë dhe në asnjë prej aktgjykimeve nuk ishte dënuar me burgim efektiv.

“Derisa ndër veprat për të cilat është dënuar  më shumë se dy herë është vepra penale e armëmbajtjes pa leje. Por, se këto dënime nuk do ta ndalonin të njëjtin që të posedonte sërish armë, dhe të kryente vepër penale më të rëndë, si ajo e privimit nga jeta të një personi, ashtu siç po dyshon Prokuroria Themelore në Prizren”, thuhet në analizën e IKD-së.

Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale.

“Rasti “Kobra” është rast i pakontestueshëm dhe shembull, në të cilin sistemi i drejtësisë,  ka dështuar të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, e njëheri ka dështuar të mbrojë shoqërinë nga një kryes i veprave penale, përmes politikave ndëshkimore joadekuate, respektivisht përmes dënimeve me gjobë e me kusht të një pas njëshme, me ç’rast si rezultat i mosveprimeve në rehabilitimin e një kryesi recidivist të veprave penale nga ana e sistemit të drejtësisë,  një person është privuar nga jeta”.

“IKD përmes kësaj analize thekson se në shtetet demokratike, ku sundon ligji, në mënyrë të pavarur dhe paanshme, ku integriteti i sistemit të drejtësisë mbrohet skajshëm, në rrethanat e rastit “Kobra”, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), do të duhej të alarmoheshin nga dështimi i sistemit të drejtësisë, në parandalimin e një recidivisti nga kryerja e veprave penale dhe mbrojtja e të drejtës themelore, të garantuar në çdo shoqëri demokratike, që është jeta e një personi. Sipas IKD-së, deri më tani këto fatkeqësisht, deri më tani, as në këtë rast nuk kanë reaguar këto institucione, ngjashëm siç nuk kishte reagim institucional adekuat as në rastin e vrasjes së Saime Domazetit”, thuhet në njoftim.

Në analizën e publikuar thuhet se recidivizmi i vazhdueshëm i Hoxhës nuk kishte ndikuar që ndaj tij të merren masa më të ashpra dhe ai të mos ketë qasje në armë.

“Me këtë rast, institucionet e drejtësisë, duhet të sqarojnë për publikun se si është e mundur që një recidivist i kësaj vepre penale, sërish përfundon me qasje në armë përmes së cilës dyshohet se është kryer një vepër e rëndë penale, si privimi i një personi nga jeta”.

“IKD në këtë analizë ka theksuar se situata të tilla, do të duhej të ishin alarmante, në drejtim të mbajtjes përgjegjës të gjithë personave zyrtar, të cilët me mosveprimin apo veprimin e tyre, nuk i përmbushin obligimet dhe përgjegjësitë e tyre që burojnë nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe atribuojnë në një klimë, ku persona me të kaluar voluminoze kriminale gjenden në liri dhe me lehtësi promovojnë krimin dhe kryejnë vepra penale”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, më 3 janar 2023, dyshohet se pas konfliktit lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve në lokalin “Kobra City”, një 31-vjeçar gjeti vdekjen, e derisa një tjetër u plagos. Deri të vdekja e 31-vjeçarit dyshohet se erdhi nga arma që u shkrep nga recidivisti i veprave penale, Dibran Hoxhaj apo siç njihet me pseudonimin “Kobra”.

Related Articles