Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka thënë se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Kosovës.
Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive me COVID-19 e veçmas me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529).
IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.
“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftim./Gazeta “Enigma”/