Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës ka bërë të ditur se kanë konstatuar një rritje të rasteve të COVID-19 në mostrat e testuara ditëve të fundit, me dominim të simptomave respiratore në mesin e të prekurve.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë periudhës 14 -19 gusht 2024, në IKSHPK janë raportuar 400 testime të kryera për SARS COV-2, prej të cilave 177 raste kanë rezultuar pozitiv, ndërsa Klinika Infektive e QKUK-së ka raportuar për 2 të vdekur gjatë kësaj periudhe nga COVID-19.
Tutje, thuhet se IKSHPK rithekson se vaksinimi vazhdon të jetë masë efektive mbrojtëse, veçanërisht ndaj formave më të rënda të sëmundjes dhe, për shkak të zbehjes së imunitetit me kalimin e kohës, individët në rrezik më të lartë dhe sëmundje kronike, rekomandohet të vaksinohen.
IKSHPK rekomandon mbajtjen e higjienës dher vendosjen e maskave
“Mbajtjen e higjienës, veçanërisht të duarve, shmangien e kontakteve me personat e infektuar, shmangien e tubimeve të mëdha dhe sidomos ato në ambiente të mbyllura, ngritjen e vigjilencës nga ana e punëtorëve shëndetësore me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të infeksioneve”.
Tutje ISHKPK ka bërë thirrje që “të respektohet bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse si dhe reduktimi i vizitave të familjarëve në institucionet shëndetësore që merren me trajtimin e rasteve me COVID-19”.
“Rastet ambulantore dhe të hospitalizuara në ShSKUK, rekomandohet të analizohen nga ana e konziliumit të mjekëve, personat me simptoma të testohen, si dhe personat me imunitet të komprometuar të ri-vaksinohen!”, thuhet në njoftimin e tyre. /Gazeta Enigma/