Romelu Lukaku mbërriti në Chelsea, duke paralajmëruar transferimin e tij si një ëndërr e bërë realitet, por më pak se një vit më vonë sulmuesi belg do të ribashkohet me Interin si një nga dështimet më të shtrenjta në historinë e Premier Leagues. Lukaku u vlerësua si pjesa e fundit e kompletimit të ekipit të trajnerit Thomas Tuchel kur Chelsea pagoi një shumë rekorde prej 113 milionë eurosh për ta nënshkruar nga Interi në gushtin e vitit të kaluar. Por gjithçka që mund të shkonte keq, shkoi keq për 29-vjeçarin në periudhën e tij të dytë katastrofike në stadiumin “Stamford Bridge”.
Vlera e Lukakut kanë rënë aq shumë, sa trajneri Tuchel ka ndërprerë lidhjet me ish-lojtarin e Manchester Unitedit dhe Evertoni pas vetëm një sezoni. E Interi pritet të konfirmojë kthimin e belgut në “San Siro” së shpejti, pasi ka negociuar një tarifë huazimi njëvjeçar prej tetë milionë eurosh për Lukakun. Lukaku besohet se ka pranuar edhe ulje të rrogës vetëm për t’u larguar nga skuadra londineze me çdo kusht. Ai e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i Chelseat me 15 gola në 44 paraqitje, por kjo statistikë nuk tregon historinë e plotë të kohës së tij të mjerë në perëndim të Londrës.
Lukaku shënoi vetëm tetë herë në Premier League dhe bashkëpronari i ri i Chelseat, Todd Boehly, shpejtoi ta vulosë largimin e tij. Lukaku bashkohet me Fernando Torresin, Andriy Shevchenkon, Alvaro Moratan dhe Chris Suttonin si sulmuesi më i fundit i profilit të lartë që nuk arriti të justifikonte një çmim të lartë që Chelsea e pagoi për të. Pasi ndihmoi Interin ta fitojë titullin e kampionit në Serie A sezonin 2020/21, kombinimi i fuqisë dhe përfundimit grabitqar të Lukakut duhet të ishte çelësi i një periudhe dominuese për Chelsean, ekip që e fitoi Ligën e Kampionëve vetëm disa muaj para transferimit të tij.
Lukaku e cilësoi lëvizjen te Chelsea, me një kontratë fitimprurëse pesëvjeçare, si një rikthim emocional në shtëpi, pasi kishte luajtur më parë për klubin që ai e mbështeti si i ri, nga viti 2011 e deri në 2014.
“Jam i lumtur dhe i bekuar që jam kthyer në këtë klub të mrekullueshëm. Përpjekja për ta ndihmuar klubin që të fitoj edhe më shumë tituj, është një ndjenjë e mrekullueshme”, tha Lukaku në atë kohë.
Entuziazmi i hershëm i Lukakut nxiti katër gola në katër paraqitjet e tij të para, duke thyer mbrojtjen e Arsenalit në një shfaqje të fuqisë që mund të mposhtte çdo kundërshtar nëse ai ishte në disponim.
Megjithatë, qëndrimi i Lukakut u përkeqësua shpejt, pasi një seri prej gjashtë ndeshjesh pa gol ngriti shqetësime për aftësinë e tij për t’u përshtatur me sistemin e gjermanit Tuchel. I penguar nga një dëmtim në kyçin e këmbës dhe një periudhë e koronavirusit, Lukaku humbi vendin e titullarit përballë Kai Havertzit. Lukaku ishte i pakënaqur me mënyrën se si Tuchel po e përdorte atë, një ndjenjë që ish-trajneri i tij i Interit, Antonio Conte, i dha zë kur tha se gjermani nuk “e kuptonte” se si ta përdorte më mirë sulmuesin. Ndërsa Tuchel duhet të marrë një pjesë të fajit, Lukaku shkatërroi shpresat e tij për t’u kthyer si titullar me një intervistë nxitëse në dhjetor.
“Fizikisht jam mirë. Por nuk jam i kënaqur me situatën në Chelsea. Tuchel ka zgjedhur të luajë me një sistem tjetër”, tha Lukaku për një kanal televiziv italian. “Unë me të vërtetë, sinqerisht, shpresoj nga fundi i zemrës sime të kthehem te Interi”.
Kuptohet se Tuchel ishte i tërbuar dhe e la Lukakun në shtëpi për vizitën e Liverpoolit në “Stamford Bridge”, vetëm disa ditë pasi u transmetua intervista. Lukaku u detyrua t’i kërkonte falje Chelseat dhe tifozëve të klubit. Kur ai përfundimisht u rikthye në ekip, gjuha e trupit të tij ishte e tmerrshme, teksa nuk vraponte nëpër ndeshje dhe debatonte me shokun e skuadrës Hakim Ziyech gjatë një dueli kundër Brightonit. Sezoni i mjerë i Lukakut arriti pikën e thyer në Crystal Palace në muajin shkurt, kur ai e theu rekordin për numrin më të ulët të prekjeve të topit (shtatë) nga një lojtar në një ndeshje të Premier Leagues.
“Nuk ka të bëjë me sistemin. Për të, ai nuk ndryshon asgjë. Të dhënat janë atje dhe të dhënat flasin një gjuhë të caktuar”, tha Tuchel, që akuzoi Lukakun.
Pas katër muajsh pa një gol në Premier League, Lukaku shënoi tre gola në dy ndeshje drejt fundit të sezonit, duke fituar një vend në ekipin për finalen e Kupës FA kundër Liverpoolit. Megjithatë, shfaqja e dobët e Lukakut teksa Chelsea humbi me penallti në stadiumin “Wembley” ishte përfundimi i një sezoni të turbullt dhe konfirmim se do të largohet nga Chelsea. 29-vjeçari ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2026.