Institucionet e drejtësisë ‘në gjumë’, viti nis me vrasjen e një gruaje

Institucionet e drejtësisë ‘në gjumë’, viti nis me vrasjen e një gruaje

Kosova vitin 2022 e filloi me vrasjen tragjike në Llaushë të Skenderajt, ku bashkëshorti qëlloi me armë zjarri gruan e tij 48 vjeçare, shkruan Gazeta “Enigma”.

51-vjeçari, S.Q, dyshohet se me 5 janar, me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij, L.Q

Pesë ditë para vrasjes, L.B (tashmë e ndjera), e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj në Policinë e Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima L.Q, më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallëzim penal ndaj burrit të saj, për dhunë në familje.

Lidhur me këtë, të premten në Skenderaj u protestua kundër dhunës dhe vrasjes së grave, duke dënuar njëkohësisht edhe vrasjen e L.Q nga bashkëshorti.

Protesta paqësore ishte organizuar nga OJQ Gratë Intelektuale të Drenicës nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata, ndërsa marshi përfundon para stacionit policor e më pas Stacionit të Policisë në këtë komunë, duke thirru “Boll më, edhe sa vrasje”, “Duam siguri”, “Qyteti është i joni, shtëpia është e jona”; “Ku me ua ankuar ne, deri kur vrasje”; “Qofte e fundit kjo vrasje; “Mos i vrisni nënat tona, mos i vrisni motrat, mos i vrisni nuset”.

Sevdije Hoxha, kryetare e Grave Intelektuale të Drenicës, aktiviste për të drejtat e grave, ka kërkuar drejtësi për vrasjen e L.Q.

“Kjo është një ndër rastet e fundit, dhe lus Zotin që mos të ketë raste tjera. Në emër të grave të Drenicës, kërkojmë që rasti të ekzekutohet në mënyrë më dinjitoze, dhe kërkojmë drejtësi për të”, ka thënë ajo.

Bahtije Sejdiu, kryetare e Federatës së pensionisteve, tha se të vrasësh një gruan nuk është trimëri.

Ajo ka bërë thirre që vrasje të tilla mos të përsëriten, duke kërkuar që mos të shkatërrohen familjet e të mbesin fëmijët jetimë.

 “Mos t’i lëmë fëmijë jetimë, mos t’i shkatërrojnë familjet, dashtë Zoti që mos të përsëritet asnjë vrasje tjetër. Të vrasësh gruan nuk është trimëri”.

Foto nga protesta e të premtes
Foto nga protesta e të premtes

Protestën e kanë mbështetur edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, ku kanë kërkuar dënimin maksimal për doracin.

“Ky rast vetëm se na shpërfaq e na rikujton edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin e duhur të vrasjeve të grave dhe femicidit. Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta. Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit”, thuhej në reagimin e RrGk’së, një ditë pas ngjarjes tragjike.

 LEXO EDHE: Ministrja Haxhiu: Për vrasjen e gruas në Llaushë përgjegjës janë institucionet, urgjentisht të merren masa

Në anën tjetër, një ditë pas vrasjes së 48 vjeçarës, në muret e objektit të policisë dhe në hapësira të tjera publike në Skenderaj ishin shënuar grafitet në shenjë proteste për dhunën në familje.

Organizata  Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist postoi grafitet duke thënë se “këto përveç që denoncojnë fajtorët, janë edhe thirrje për revoltë kundër patriarkalizmit të institucionalizuar, që nga familja e në polici e gjykata- që po ua merr jetën grave”.

Foto nga grafitet
Foto nga grafitet
Foto nga grafitet

Çka dihet deri më tani për vrasjen e 48 vjeçares në Llaushë të Skenderajt

Nga hetimet fillestare në vendin e ngjarjes u bë  e ditur se personi i dyshuar kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij), e cila kishte pësuar lëndime të rënda.

Viktima ishte dëguar me urgjencë në spitalin rajonal të Mitrovicës, mirëpo e njeta kishte ndrrua jetë si pasoj e plagëve që kishte marrë.

E për këtë vepër u arresta bashkëshorti i gruas së vrarë, të cilit Policia i kishin sekuestruar një armë zjarri e llojit Pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin sekuestruar gjashtë gëzhoja.

Pas intervestimit së të dyshuarit iu është caktuar masa e ndalimit policor.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar  për obduksion në IML.

Si erdhi deri te vrasja?

Sipas dosjes së Prokruroisë, në deklaratën që e kishte dhënë viktima më 1 janar 2022,  thuhej se L.Q, me të pandehurin ishte e martuar nga viti 2001 dhe kishin tre fëmijë.

“Prej se jam martu kam probleme me burrë, dhunë fizike e psikike, shpesh tenton të më largojë nga shtëpia, ku edhe mbrëmë më kishte thënë “dil prej shtëpisë se je ka më tradhton”, kishte rrëfyer viktima para zyrtarëve policorë në Stacionin Policor në Skenderaj.

Viktima, po ashtu në polici kishte thënë se më 31 dhjetor derisa e njëjta kishte shikuar në telefon urimet nga familjarët e saj për rastin e Vitit të Ri, i pandehuri e kishte pyetur se “kush po të shkrun” dhe viktima ishte përgjigjur “kunata” dhe i pandehuri i kishte marrë telefonin duke e akuzuar se po shkruante me persona të tjerë.

Tutje viktima kishte deklaruar se i pandehuri e kishte rrahur me çka ka pasur në dorë.

“Shpesh më ka rrahë dhe më ka goditë me çka ka pas në dorë, krejt syrin e kam pasur të mavijosur në korrik të vitit 2021”, kishte deklaruar ajo.

Tutje viktima kishte thënë se rastin nuk e kishte lajmëruar në polici se dyshonte mos ka ndonjë sëmundje mendore.

“Rastin nuk e kam raportuar në polici se po dyshoj mos ka ndonjë sëmundje mendore e po i kalon në xhelozi”, kishte thënë viktima 48 vjeçare.

Po ashtu ajo kishte thënë se bashkëshorti i saj ishte i egër edhe me anëtarë të tjerë të familjes por ata i rrinin larg dhe kishin frikë nga ai.

Viktima kishte thënë në Polici në Skenderaj se është e pajtimit që mos të ndahet nga bashkëshorti i saj nëse ai nuk ushtron më dhunë ndaj saj. E po ashtu ajo kishte kërkuar edhe urdhërmbrojtje sepse nuk e din se ku do të shkonte nëse burri do e largonte nga shtëpia.

LEXO EDHE: VIDEO: Para vrasjes së gruas në Llaushë, dy familjet ishin mbledhur për ta pajtuar çiftin

Ndryshe, gjatë vitit 2021 në Kosovë u vranë tri gra, në mesin e tyre është edhe vrasja e 18 vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani që dyshohet se u rrahë për vdekje nga i fejuari për dy ditë me rradhë. /Gazeta Enigma/

Related Articles