Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha sot se prioritet kryesor i Komisionit Evropian është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe se është e nevojshme kthimi në parimet thelbësore të zgjerimit të BE-së, raporton RTV.
Duke folur në konferencën në Trieste me temën “Italia dhe Ballkani Perëndimor: Rritja dhe Integrimi”, Varhelyi theksoi se Trieste nuk është vetëm “porta për në Ballkanin Perëndimor, por edhe porta për në Evropën Qendrore, e cila vetëm tregon se sa shumë mund të bëjmë së bashku në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE sa më shpejt të jetë e mundur”.
Komisioneri vlerësoi se “duhet më shumë Trieste në Ballkan” dhe një prani më e madhe e Italisë, pasi në dritën e sulmit rus ndaj Ukrainës, integrimi i Ballkanit Perëndimor është ndër tre prioritetet më të rëndësishme të BE-së, dhe jo vetëm BE-ja si institucion, por edhe e të gjithë liderëve të saj”.
Varhelyi theksoi se është bërë shumë progres për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mirëpo duhet bërë përpjekje shumë më tepër.
“Ne ia dolëm t’i lëvizim gjërat nga bllokimi kur bëhet fjalë për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu kanë treguar një nivel më të lartë të përkushtimit ndaj anëtarësimit duke përshpejtuar reformat dhe ne kemi përshpejtuar arritjen e anëtarësimit për ta. Me Serbinë kemi hapur një grup prej katër kapitujsh, por sigurisht që nuk duhet të ndalemi me kaq”, tha Varhelyi, raporton Kosovo-Online.
Ai deklaroi se “Komisioni Evropian miratoi statusin e kandidatit të BiH-së më pak se një muaj më parë dhe e gjithë kjo është një inkurajim dhe konfirmim i madh për vendet e Ballkanit Perëndimor se Evropa është kthyer”. Evropa është e gatshme të japë, nëse edhe Ballkani është gati të japë”.
Ai tha se “i gjithë ky është një lajm i mirë” për dikënd në Bruksel, por se është veçanërisht e rëndësishme të përmendet në Trieste.
“Integrimi politik nuk do të thotë asgjë nëse nuk ka integrim të vërtetë dhe kjo përfshin integrimin ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Varhelyi.
Ai bëri të ditur se muajin e ardhshëm do të ketë “përshpejtim të zbatimit të të ashtuquajturit plan ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor”.
Duke komentuar këtë plan, Varhelyi theksoi se ai përfshin 30 miliardë euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor, pra PBB-në e gjithë rajonit.
“Ai plan nënkupton investimin në projekte të mëdha infrastrukturore, për t’u lidhur në aspektin e energjisë, transportit dhe ekonomisë dixhitale, gjë që nuk ka ndodhur në 30 vitet e fundit. Mund të hapë dyert për kompanitë evropiane dhe bankat dhe fondet tona të investimeve gjithashtu mund të gjejnë interesin e tyre”, tha komisioneri.
Varhelyi e krahasoi krizën energjetike me krizën Covid dhe tha se duke ndihmuar Ballkanin Perëndimor, BE po ndihmon edhe veten.
“Kjo është arsyeja pse ne miratuam një paketë ndihme energjetike për Ballkanin Perëndimor në shumën prej 1 miliard euro dhe do të donim të siguronim ndihmë të shpejtë financiare prej 500 milionë euro për të siguruar pavarësinë afatshkurtër dhe afatmesme të rajonit nga gazi rus”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur se BE-ja do të investojë në të paktën një terminal të ri energjetik në Ballkanin Perëndimor, pra në detin Adriatik, për të ndryshuar situatën në terren dhe për të krijuar baza të reja ekonomike dhe të sigurisë.
Varhelyi tha se Evropa nuk mund ta falënderojë sa duhet Italinë për përfshirjen e saj në integrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Shpresoj se në një periudhë afatmesme do të jemi në gjendje të importojmë energji të gjelbër nga Afrika e Veriut në Itali përmes Ballkanit, gjë që do të krijojë qendra të reja energjetike evropiane nga Italia dhe Ballkani”, tha komisioneri.
Varhelyi shtoi se kur u bë kreu i zyrës së zgjerimit, qëllimi i tij ishte të krijonte kushte inkurajuese për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
“Vetëm përmes investimeve mund të ndryshojmë situatën në terren dhe ta bashkojmë plotësisht Ballkanin Perëndimor në BE”, përfundoi Varhelyi.